Më 18 shtator avokati Adriatik Lapaj do të krijojë një nismë të re politike, emrin dhe logon e së cilës nuk do e zbulojë deri në atë datë.
Në një intervistë për ‘Euronews Albania’ ai u shpreh se kjo lëvizje do të financohet nga populli dhe takimin e parë në terren do e ketë në veri të Shqipërisë, në një zonë që sipas Lapajt përfaqëson shumë historinë e vendit.
“Juridikisht, për shkak të mënyrës se si është i ndërtuar legjislacioni shqiptar është organizatë. Rrugëtimi i saj do të varet nga mënyra se si do të performohet nga skena politike. Nëse të gjitha pikat realizohen dhe këtu ka një demokraci e cila hapet, ndoshta mund të mos ketë nevojë për të prodhuar subjekt të ri”, u shpreh Lapaj.
Avokati tha se qëllimi i tij nuk është të hapë një subjekt të ri, por të garantojë demokracinë, madje u shpreh se nëse do të ishte në vend të politikanëve në pushtet do të realizonte të gjitha pikat e propozuara në mënyrë që të parandalonte krijimin e kësaj lëvizje.
“Janë të ndërgjegjshëm njerëzit. Kanë një gabim këta, i trajtojnë shqiptarët si qenie inferiore. Janë shumë të qartë njerëzit. Këto do të ndodhin, i tërë ndryshimi është te koha. Kanë një mundësi që t’ja përshpejtojnë shqiptarëve historinë dhe të mos i mbajnë në agoni”, u shpreh Lapaj.