MENU
klinika

Deri në 1 mijë dollarë për rekrutim

Furrat e bukës po marrin punonjës nga Azia

17.09.2023 - 14:54

Prej pothuajse një viti sektori i bukës dhe pastiçerisë po përballet me mungesën e ndjeshme të punonjësve. Megjithatë, sipas përfaqësuesve të shoqatës kriza është thelluar dhe zgjidhja e vetme tashmë ka mbetur rekrutimi i punonjësve nga shtetet e tjera.

I njëjti fenomen që po përsëritet edhe me sektorët e tjerë të industrisë.

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave, Gëzim Peshkëpia deklaron se përpos punonjësve nga rajoni, do rekrutohen edhe nga shtetet aziatike.

“Mungesa e fuqisë punëtore në këtë sektor kërkon zgjidhje imediate. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të ndërmarra nga sektori për rritjet e vazhdueshme të pagave, pothuajse të gjitha furrat në vend po hasin vështirësi me gjetjen e fuqisë punëtore. Për këtë arsye bizneset prodhuese tashmë janë të hapura për shqyrtimin e mundësive për punësimin e specialistëve të huaj me eksperiencë të ngjashme qoftë nga shtetet aziatike dhe ato të rajonit”, citon ai ndërsa shton se pagat në këtë sektor janë rritur me gati 80%.

Furrat e bukës do rekrutojnë punonjës nga rajoni dhe vendet aziatike, citon Peshkëpia.

Aktualisht për pozicionin e furrxhiut i cili është edhe profesioni më kyç në këtë sektor, pagat variojnë nga 65 mijë lekë deri në 100 mijë lekë në muaj. Ndërsa për pozicionet ndihmëse dhe atë të shitjes, pagat variojnë nga 50-70 mijë lekë.

Megjithatë, kostot për rekrutimin e një punëtori të huaj, kryesisht nga vendet aziatike mbeten të larta.

Duke nisur nga pajisja me vizë e aplikimi për leje deri tek akomodimi, sipas llogaritjeve, një biznes duhet të paguajë nga 850-1000 dollarë për rekrutimin e vetëm një punonjësi të huaj.

Përfaqësues të sektorit deklarojnë se që në fillim ata përballen me “kostot burokratike” që lidhen kryesisht me aplikimin për lejen dhe vizën, të cilat llogariten rreth 400 dollarë. Pastaj është pagesa e agjencisë ndërmjetëse për të sjellë punëtorin, transporti dhe akomodimi që parashikon vetëm gjetjen e një ambienti fjetieje dhe që sigurohet po nga biznesi.

Ulja e konsumit në tregun e brendshëm nga ana tjetër po ushtron presion tek prodhuesit e bukës.

Tregtarët vendas janë të shqetësuar se ndërsa po ofrojnë paga shumë të larta, reduktimi i popullsisë për shkak të emigracionit po vështirësojnë situatën.

“Ikja e të rinjve që janë edhe konsumatorët më të mëdhenj të brumërave, po ul konsumin, ndërsa vendi vuan nga mbiinvestimet në përpunim. Presionet nga tregjet e jashtme dhe tregu i brendshëm e kanë bërë edhe më të ashpër konkurrencën, duke bërë që grosistët të gërryejnë fitimet e veta”, deklaroi Peshkëpia për Gazetasi.al.

Sipas të dhënave të shoqatës në vend operojnë 10 mijë furra buke dhe pastiçeri dhe secila prej tyre ka nevojë për të paktën tre punonjës shtesë.

Ndërkohë mungesa e tyre, po rrezikon edhe bukën artizanale shqiptare.

“Me këto ritme në Shqipëri do të ketë vetëm bukë industriale”

Peshkëpia me shqetësim shprehet për Gazetasi.al se mungesa e punëtorëve po e rrezikon tërësisht bukën artizanale në Shqipëri.

“Ne jemi vendi i vetëm që bukën e bëjmë më brumë të ardhur në mënyrë artizanale por ka një mungesë të theksuar dëshire tek të rinjtë për të punuar në këtë sektor. Duhet kuptuar tashmë që ky është zanati që mban popullsinë.

Duhen masa institucionale, qeveria duhet të reagojë sepse po rrezikohemi shumë nga mungesa e punëtorëve pavarësisht se i kemi rritur rrogat me sa mundemi”, thotë ai, ndërsa shton se shumë shpejt, me këto ritme, tradita do të zhbëhet.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Intervista e Presidentes së Shoqatës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë

Ikja e fuqisë punëtore/ Strategjia si mund të ndalohet