Policia e Shkodrës ka arritur që të prangosë një nga bashkëpunëtorët e dyshuar të vrasjes së një nate më parë në Hot i Ri, të të riut Valter Fierza. Mësohet se ky person, identiteti i të cilit nuk është bërë me dije, është ndaluar nga Policia në tentativë për të shkuar në zonat malore të Dukagjinit.
Nuk dihet ekzaktësisht se cili ka qenë roli i tij, në krimin që tronditi opinionin publik, pasi të riut iu mor jeta për një vend parkimi.
Sipas të dhënave paraprake, si dhe dëshmisë së familjarëve të viktimës, dyshohet se konflikti që çoi deri në përdorimin e armës ka lindur mes vëllait të viktimës dhe autorit të dyshuar.
Debati ka lindur për një automjet të parkuar në arë dhe ku pretendohej se bllokohej rruga. Pas debatit me vëllain e viktimës autori i dyshuar, Klodian Mhilli, ka debatuar edhe me 33-vjeçarin, Valter Fierza, të cilin e ka qëlluar me armë automatike, duke e lënë të vdekur.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar, ndërsa policia pas identifikimit ka nisur kontrollet për kapjen e tij.