Mazhoranca socialiste ka kundërshtuar të premten në Konferencën e Kryetarëve kërkesat e opozitës për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare për konçensionet në shëndetësi dhe për hetimin e rrjedhjes së të dhënave personale nga data-bazat shtetërore.
Kuvendi njoftoi se “nuk u arrit dakordësi dhe çështja i kaloi seancës plenare”.
Pas mbledhjes, kreu i Grupit Parlametar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, akuzoi mazhorancën se po cënon një të drejtë parlamentare të opozitës.
“Mazhoranca nuk dha konsensusin për ngritjen e komisioneve hetimore. Justifikim për të fshehur një vullnet politik të mazhorancës, janë fyerje për çdo mendjen normale njerëzore”- tha ai në një dalje për mediat.
Sipas Bardhit, argumenti i PS-së kishte të bënte me formulimin e objektit, duke e konsideruar një hetim shumë të gjërë dhe të pamundur për 4 kontratat konçensionare.
“Të katër kontratat lidhen me një çështje të vetme për ofrimin e shërbimit të qytetarëve”- argumentoi ai duke shtuar se objekti i hetimit është verifikimi i mënyrës se si janë dhënë dhe si janë zbatuar këto kontrata.
Kreu i grupit socialist, Bledi Çuçi, ishte i paarritshëm për koment.
Në kërkesën e firmosur nga 45 deputetë vihet në dukje se 4 kontratat publike në sektorin e shëndetësisë përllogariten në vlerën totale rreth 450 milionë USD, por nga auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe hetimet e SPAK në dhënien e tyre ka pasur shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore.
Ministria e Shëndetësisë ka dhënë 4 kontrata partneriteti publik-privat që nga viti 2015 der në 2019 dhe 3 prej tyre janë në hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për abuzim me fondet publike dhe shkelje ligjore.
Në gusht, Gjykata e Posaçme udhëroi disa arrestime për kontratën “për ofrimin e shërbimeve të integruara të furnizimit të setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale sterile”, ose siç njihet si “kontrata e sterilizimit”, i cili i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 7.9 miliardë lekë [76 milionë euro] deri në fund të vitit 2022.
Pas hetimeve 4-vjeçare ish.zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj përfunduan në pranga për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe mashtrimit, ndërsa gjykata kërkoi hetim edhe për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja dhe ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani.
Hetimi parlametar konsiderohet si një e drejtë ligjore e pakicës parlamentare për të kontrolluar qeverisjen, por nuk është hera e parë që kërkesat për komisione hetimore kanë hasur kundërshtimin e mazhorancës.
Më parë PS ka rrëzuar kërkesat për hetimin e zbatimit të ligjit për investimet strategjike, zbardhjen e fluturimeve të kryeministrit Rama me avionin ‘charter’, etj../BIRN