MENU
klinika

Sulmi terrorist ndaj policisë së Kosovës

Ellis: Duhet të ketë hetim ndërkombëtar për Banjskën!

07.10.2023 - 10:24

Është e rëndësishme që sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të hetohet nga një ekip ndërkombëtar, ashtu siç kërkon Kosova, thotë Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër.

Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se ky ekip do të mund të mandatohej nga Kombet e Bashkuara, apo të ishte ekip i përbashkët i disa shteteve.

Skenari më i mirë, sipas tij, do të ishte edhe sikur Serbia të pajtohej me të.

“Degëzimi i hetimeve, një nga Kosova, një nga Serbia, për mua nuk është drejtimi i duhur. Duhet të ketë një hetim të konsoliduar dhe të pavarur ndërkombëtar, për të cilin të dyja palët do të binin dakord”, thotë Ellis.

Radio Evropa e Lirë: Kosova është duke kërkuar një hetim ndërkombëtar të sulmit në Banjskë. A duhet një i tillë sipas jush?

Mark Ellis: Sigurisht që e mbështes atë kërkesë. Mendoj se është i nevojshëm për dy arsye kryesore. Së pari, akti ishte flagrant dhe shkelje e një sërë parimesh në bazë të ligjit. Është e rëndësishme që të ketë një hetim objektiv se kush qëndron prapa tij dhe cilat janë elementet terroriste.

Mendoj, po ashtu, se hetimi ndërkombëtar do t’i ulte tensionet për këtë çështje, sepse nëse kërkohet nga cilado palë e ekuacionit të hetojë, nuk jam i sigurt se një gjë e tillë do të sillte ndonjë lloj pranimi të gjetjeve. Kështu që do ta mbështesja dhe do t’i bashkohesha kërkesës për një hetim ndërkombëtar dhe të monitoruar. Po.

Radio Evropa e Lirë: Kush duhet të bëjë hetimin ndërkombëtar?

Mark Ellis: Kjo është një pyetje e mirë. EULEX-i [misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë] ka përmendur se nuk ka mandat ta kryejë një hetim të tillë. Unë mendoj se tani janë dy rrugë.

E para është një hetim i mandatuar nga Kombet e Bashkuara, një lloj komisioni. Ai do të mund të mandatohej nga sekretari i përgjithshëm, Këshilli i Sigurimit apo Asambleja e Përgjithshme. Kjo do të ishte një kërkesë e përshtatshme. Nëse do të pranohej, nuk e dimë. Por, kjo do t’i jepte besueshmëri të madhe një hetimi ndërkombëtar dhe të pavarur. Pra, kjo do të ishte qasja e parë.

E dyta do të mund të ishte jashtë sistemit të mandatit të OKB-së, do të mund të bëhej kërkesë për një mision shumëpalësh për hetime. Në atë rast, disa vende bëhen së bashku dhe kryejnë një hetim objektiv dhe intensiv.

Është shumë e rëndësishme në rastin e Kosovës që të bëjë përpjekje për të gjetur se kush ka qenë përgjegjës për grupin e terroristëve [në Banjskë], a ka pasur mbështetje shtetërore apo ka vepruar i vetëm. Të gjitha këto duhet të hetohen dhe pastaj të nxirren gjetjet.

Radio Evropa e Lirë: Më lejoni t’ju pyes për procesin e inicimit, kujt duhet t’i drejtohen autoritetet e Kosovës për këtë lloj hetimi?

Mark Ellis: Nëse synoni misionin shumëpalësh, atëherë procesi mund të nisë, për shembull, nga një shtet tjetër në Evropë që thotë se ky akt kërkon nga komuniteti ndërkombëtar që të krijojë një mision shumëpalësh. Dhe sapo një shtet e vendos këtë, atëherë është më e lehtë për shtetet e tjera të përfshihen. Kjo mund të bëhet përmes Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian ose jashtë tyre.

Dhe, siç e thashë më herët, rruga tjetër mund të jetë brenda mandatit të Kombeve të Bashkuara. Atë mund ta japë komisionari për të drejtat e njeriut, për shembull, edhe pse sekretari i përgjithshëm preferohet më shumë. Edhe nëse kërkesa refuzohet – edhe pse nuk jam i sigurt pse do të refuzohej – së paku është atje.

Radio Evropa e Lirë: Sa kohë mund të zgjasë një hetim i tillë?

Mark Ellis: Hetimi mund të zgjasë aq kohë sa duhet për të arritur te një përfundim. Sigurisht që do të duhen muaj. Ky është një incident i shënjestruar, ku informacione dhe prova po mblidhen edhe sot. Nuk pres që të jetë një proces i gjatë, pasi që ekipi [i hetuesve] të krijohet.

Mendoj se themelimi i këtij ekipi mund të marrë ca kohë, sepse duhet siguruar që janë përfaqësuesit e duhur të përfshirë, shtetet e duhura. Por, kur ata ta nisin punën, mendoj se mund të shkojë mjaft shpejt. Mendoj se është e rëndësishme që të sigurohet mbështetje edhe nga Serbia.

Radio Evropa e Lirë: A ka kuptim hetimi ndërkombëtar nëse nuk e ka miratimin e të dyja vendeve?

Mark Ellis: Është shumë më mirë ta kesh miratimin nga të dyja palët në këtë rast. Nuk ka dyshim për këtë. Por, edhe nëse Serbia refuzon… Kjo ka ndodhur edhe më herët në Lindjen e Mesme, e kemi parë midis Izraelit dhe Palestinës. Por, prapëseprapë, unë e mbështes një hetim ndërkombëtar, një hetim të pavarur, për të siguruar sa më shumë informacione që është e mundshme, edhe nëse njëri shtet vendos të mos bashkëpunojë.

Radio Evropa e Lirë: A duhet të ketë ndonjë marrëveshje paraprake politike?

Mark Ellis: Nëse do të kishte një marrëveshje fillestare mes dy palëve, dy shteteve, atëherë sigurisht që kjo do të ishte gjëja më e mirë. Nëse do të kishte një marrëveshje fillestare se të dyja palët do ta mbështesin një hetim ndërkombëtar, qoftë nga Kombet e Bashkuara apo jashtë tyre, ky do të ishte absolutisht skenari më i mirë.

Radio Evropa e Lirë: Aktualisht, po bëhen dy palë hetime – nga Kosova dhe nga Serbia. Cili do të jetë më i besueshëm?

Mark Ellis: Degëzimi i hetimeve, një nga Kosova, një nga Serbia, për mua nuk është drejtimi i duhur. Duhet të ketë një hetim të konsoliduar dhe të pavarur ndërkombëtar, për të cilin të dyja palët do të binin dakord. Nuk dua të spekuloj se cili hetim do të jetë më objektiv [i Kosovës apo i Serbisë]. Por, ka shumë gjasa që nëse dy shtetet bëjnë hetime të ndara, ne nuk do të arrijmë në një konstatim objektiv se kush është përgjegjës [për sulmin].

Radio Evropa e Lirë: Prokuroria e Serbisë ka implikuar tani edhe Bosnje e Hercegovinën në këtë rast. A do të thotë kjo se hetimet mund të zgjerohen edhe në vende të tjera të rajonit?

Mark Ellis: Nëse ka ndonjë lloj prove paraprake që sugjeron se është përfshirë një palë tjetër apo një shtet tjetër, unë mendoj se ekipi hetimor, organi hetimor, do të dojë ta ndjekë atë pistë hetimesh. Kjo është ana pozitive e të pasurit një ekip të pavarur ndërkombëtar të hetimeve. Ai do të vendosë se në çfarë drejtimi do të zhvillohen hetimet. Dhe, kjo është ajo që e doni. Doni t’i shikoni të gjitha pistat dhe pastaj të arrini në një përfundim./ rel

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sulmet në Veri ku u vra një polic

Albin Kurti mbledh Këshillin e Sigurisë!

Presidenca e Kosovës i përgjigjet deklaratave të Ramës

“KFOR-i mbështet institucionet, nuk merr përsipër sigurinë në vend”

Vrasja nga terroristët serbë e policit në Veri

“BE e gatshme të konsiderojë masat ndëshkuese ndaj Serbisë”


Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!