Problemet nga moti i ngrohtë dhe i thatë, kanë detyruar prodhuesit e domates në serra të heqin dorë nga disa lloje varietetesh.
Viti 2023 ishte më i vështiri për fermerët në Berat të cilët mbollën më pak sipërfaqe, por gjetën varietetin që prodhon më shumë.
Edhe Pajtim Çela, fermer nga fshati Samatic në Berat, tregon se ka vendosur të mbjellë bimë të cilat i kërkon tregu dhe që kanë çmime të larta. Për konsumatorët domatja kokërrvogel është më e kërkuara, ndaj sipërfaqet me këtë varietet janë shtuar.
“Varieteti është më shumë se gjysma e punës. Nëse varieteti është i mirë edhe ne dalim shumë mirë. Kjo domate është shumë e mirë. Unë jam një fermer që e mbjell gjithmon domatinën dhe me këtë jam shumë i knaqur. Po kam hequr dorë, ka tre vite që nuk mbjell domate kokërrmadhe, mbjell vetëm kokërrvogël dhe tregun e kam të shitur.”
“Varietet italian që ka tre vite që e kemi futur dhe vazhdojmë ta kultivojmë këtë varietet shumë superior.”
“Rezultatet po shohim duke krahasuar me të tjerët, janë shumë pozitive. Kjo është një domate që ka ngjyrën shumë të bukur dhe shijen shumë të mirë.”
Në tregun vendas çmimi i domates ka qenë i lartë këtë vit, nga 150 deri në 250 lekë për kg. Megjithatë nga ana tjetër cilësia nuk i përgjigjet çmimit, i cili vazhdon të rritet edhe në muajin Tetor.