Studentët e Universitetit të Mjekësisë kanë nisur ditën e sotme protestën e paralajmëruar prej disa ditësh.
Studentët njëzëri janë mbledhur para ambienteve të universitetit, ku në shenjë proteste për ligjin e ri të miratuar për punën e detyruar që duhet të bëjnë brenda vendit, ata kanë bojkotuar sërish mësimin.
Kujtojmë se kjo protestë e paralajmëruar vjen pas ditës së parë të universitetit ku studentët e Mjeksisë bojkotuan mësimin duke mos hyrë në auditor.
Një nga studentët protestues u shpreh se bojkoti i mësimit do të vazhdojë dhe se ligjin do e çojnë në Gjykatën Kushtetuese. Ai shprehet gjithashtu se nuk është faji i mjekëve që largohen nga Shqipëria por është faji i qeverisë që nuk ua mundëson kushtet dhe sigurinë për të punuar në vendin tonë.
“Nuk po luftojmë vetëm për një të drejtë tonën. Kemi që nga korriku që protestojmë. Ky popull që meriton kaq shumë të marrë shërbimin e merituar. Jo siç ndodh sot, kjo është vetëm dita e parë e bojkotit. Shpresoj që në ditët në vijim do të jemi më shumë, do vazhdojmë ti përmendim vazhdimisht popullit dhe qeverisë që mjekësia është elita e këtij vendi. Ne nuk jemi tradhtarë siç na kanë përmendur shpesh herë nëpër studio. Nuk jemi ne ata që i shpërdorojmë taksat e këtij populli. Ne jemi ata që sakrifikojmë sa e sa vite të jetës vetëm që të përgatitemi e ti shërbejmë popullit në mënyrën më dinjtoze që të mos vuajnë nëpër spitale, por për t’iu dhënë një jetë me dinjitet. Shumë e vërtetë që mjekët largohen, por ky është faji individual i atyre që ikin dhe faji i instancave shtetërore, që nuk ua mundësojnë kushtet dhe sigurinë. Për këtë arsye mjekët largohen”, u shpreh një prej tyre.
Ligji i ri i detyron mjekët e sapo diplomuar të japin shërbimin e tyre në Shqipëri për një periudhë 5-vjeçare, para se ata të marrin diplomën për përfundimin e studimeve të tyre.
Studentët e kanë refuzuar kategorikisht këtë ligj, duke e konsideruar atë si të padrejtë, ndërsa çështja ka kaluar edhe në Gjykatën Kushtetuese.