Kombi i pestë më i populluar i Bashkimit Evropian do të votojë në zgjedhjet kryesore të dielën më 15 tetor, rezultatet e të cilave do të jehojnë në perëndim përmes BE-së, në lindje në Ukrainën e shkatërruar nga lufta dhe përtej Atlantikut, në SHBA.
Votimi i fundjavës së ardhshme mund të shohë partinë në pushtet, populiste Ligj dhe Drejtësi (e njohur me akronimin e saj polak, PiS), të fitojë një mandat të tretë radhazi të paprecedentë, që kritikët e saj thonë se mund të përfundojë një rishikim joliberal të institucioneve të vendit.
Por zgjedhjet janë jashtëzakonisht interesante dhe rezultatet mund të jenë befasuese; një koalicion i bashkuar i opozitës mund të marrë pushtetin, ndërkohë që një rezultat i paqartë mund t’i hapë një derë të djathtës ekstreme.
Polonia po voton më 15 tetor për të zgjedhur parlamentin e saj të ri dhe PiS-e cila aktualisht qeveris me mbështetjen e disa partive më të vogla populiste-shpreson të fitojë një mandat të tretë radhazi dhe të formojë qeverinë e ardhshme të vendit.
Ajo kundërshtohet nga një koalicion partish centriste të udhëhequr nga Donald Tusk, ish-kryeministri i Polonisë dhe ish-presidenti i Këshillit Evropian. Me vetëm disa ditë të mbetura nga fushata, një numër rezultatesh mbeten të mundshme.
Kthesa joliberale që Polonia ka marrë gjatë sundimit tetë-vjeçar të PiS ka bërë që vendi, dikur i parë si demokracia ekzemplare post-sovjetike, të humbasë miqtë në Perëndim, duke rritur tensionet përpara zgjedhjeve të javës së ardhshme.
Kritikët e qeverisë këmbëngulin se një mandat i tretë do ta lejonte atë të përfundojë një goditje të plotë mbi pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e medias, institucionet demokratike si dhe të drejtat e grave dhe pakicave.