MENU
klinika

Sulme edhe gjatë natës

Dita e katërt e luftës në Izrael/ Bilanci i frikshëm, gjenden 1500 trupa të pajetë të militantëve të Hamasit

10.10.2023 - 09:45

Prej katër ditësh vijojnë bombardimet në Rripin e Gazës, zonë e cila tashmë ndodhet në bllokadë totale, pa energji elektrike, ujë dhe ushqim, duke e bërë kështu tepër të vështirë jetën e qytetarëve.

Sipas mediave të huaja mësohet se gjaku po “derdhet” lumë nga të dyja anët dhe se numri i viktimave është mbi 1600. Thuhet se 900 izraelitë dhe 700 palestinezë kanë humbur jetën si pasojë e luftimeve, ndërsa mijëra të tjerë janë plagosur. Gjithashtu mësohet se në duar të Hamasit, sipas informacioneve izralite, janë rreth 150 pengje, ushtarë dhe civilë.

Mëngjesin e kësaj të marte, ushtria izraelite njoftoi se trupat e 1500 militantëve të Hamasit janë gjetur të pajetë rreth Rripit të Gazës.

Ata gjithashtu bënë me dije se kanë arritur që të mbyllin pjesën e Gazës, përmes së cilës ushtarët e Hamasit kaluan në Izraelin jugor dhe bombarduan gjatë natës mbi 200 objektiva.

Ky zhvillim i hap rrugën një operacioni tokësor nga izraelitët, pas premtimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu i cili tha se militantët e Hamasit do “të vuajnë”.

Militantët e Hamasit depërtuan nëpër barrierë në shumë vende përpara se të nisnin sulmin e tyre të shtunën. Në Gaza më shumë se 137,000 njerëz kanë kërkuar strehim nga sulmet izraelite në strehimoret e OKB-së në Gaza. Në të njëjtën kohë, ushtria izraelite po rrit praninë e saj ushtarake në veri në kufirin me Libanin, duke dërguar mijëra trupa.