Goditja me qindra raketa nga Hamas e zonave më të populluara të Izraelit ka vënë në pikëpyetje sistemin e mbrojtjes ajrore të shtetit hebre, i cili ka investuar aty miliarda dollarë.
E quajtur “Kupola e Hekurt”, ajo ishte planifikuar të mbronte civilët vendas nga raketat që lëshohen nga Rripi i Gazës. Dhe deri më 7 tetor kishte performuar shumë mirë, me një bilanc të shkatërrimit të 90 për qind të raketave që ishin drejtuar për në Izrael.
“Kupola e Hekurt” e Izraelit është përshkruar si një nga sistemet më efektive të mbrojtjes ajrore në planet.
Ajo ishte projektuar për t’iu përgjigjur kërcënimeve me rreze të shkurtër veprimi nga Gaza dhe Libani jugor dhe ka kapur mijëra raketa që kur u bë operacionale në vitin 2011.
Ministria e Mbrojtjes e Izraelit thotë se është e aftë të trajtojë kërcënime të shumta në të njëjtën kohë, me një shkallë suksesi deri në 90 për qind.
Por intensiteti i breshërisë së raketave nga militantët e Hamasit në sulmin e saj të befasishëm të së shtunës së 7 Tetorit në mëngjes arriti të bllokojë sistemin.
Por si funksionin “Kupola e Hekurt” ( Iron Dome )?
Në momentin që një raketë e armikut lëshohet, është fillimisht sistemi i radarëve që e identifikon dhe e gjurmon atë. Më pas një “sistem kontrolli” përcakton pikën e kundër-goditjes dhe menjëherë niset një raketa mbrojtëse që të shkatërrojë raketën e armikut. “Kupola e Hekurt” është programuar që të injorojë ato raketa, trajektorja e të cilave nuk bie në zona të banuara.
Deri më tani krenari e industrisë së mbrojtjes së Izraelit, garancia mbi këtë sistem po shihet me dyshim.
Vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar tek ajo 2.6 miliardë dollarë, çka tregon për kostot e jashtëzakonshme të krijimit dhe të mirëmbajtjes së “Kupolës së Hekurt”.
Izraeli ka 10 bateri ‘Iron Dome’ të vendosura në të gjithë vendin.
Sipas Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), ato mund të sigurojnë mbulim të madhësisë së qytetit kundër raketave me rreze nga 4 deri në 70 km.
Çdo bateri është në gjendje të mbrojë deri në 155 kilometra katrorë dhe është e vendosur në mënyrë strategjike rreth qyteteve dhe zonave të populluara. Një bateri përfshin tre deri në katër lëshues, dhe çdo lëshues mund të mbajë deri në 20 përgjues.
Kundërpërgjigja e Izraelit ndaj Hamasit
Izraeli intensifikoi sulmet ajrore në Rripin e Gazës dhe e izoloi atë, duke ndërprerë furnizimet me ushqim, karburant dhe gjëra të tjera të hënën në shenjë hakmarrjeje për sulmin e përgjakshëm të militantëve të Hamasit.
Numri i të vdekurve nga të dyja palët u rrit në afro 1600. Hamasi gjithashtu përshkallëzoi konfliktin, duke u zotuar të vriste izraelitët e kapur nëse ushtria izraelite sulmon civilët pa paralajmërim.
Në ditën e tretë të luftës, Izraeli vazhdoi të gjente trupa të viktimave të sulmit të befasishëm të Hamasit në fundjavë në qytetet jugore të Izraelit. Ekipet e kërkim-shpëtimit gjetën 100 trupa në komunitetin e vogël rural të Beerit, rreth 10% e popullsisë së tij, pas një përleshjeje të gjatë të tyre me militantët e Hamasit. Në Gaza, dhjetëra mijëra njerëz u larguan nga shtëpitë e tyre pasi sulmet ajrore shkatërruan ndërtesat.