Bota po e ndjek me frikë përshkallëzimin në Lindjen e Mesme, por lufta në Ukrainë vazhdon me të njëjtin ritëm.
Të mërkurën në mbrëmje dhe gjatë natës, Moska nisi një sulm në territoret lindore të Ukrainës, duke përdorur 33 dronë në drejtime të ndryshme.
Rajonet e Sumy, në veri të vendit në kufi me Rusinë, dhe Odessa, në Detin e Zi, u goditën. Përgjigja e Kievit nuk vonoi dhe qeveria e Zelensky dha urdhër për lëshimin e dronëve në rajonin e Belgorodit të Rusisë, në kufi me Ukrainën.
Në një intervistë për Ukrainska Pravda, kreu i inteligjencës ushtarake ukrainase, Kyrylo Budanov, deklaroi se Moska mund të përballojë të vazhdojë konfliktin për jo më shumë se tre vjet: “Nga pikëpamja ekonomike Rusia mund të përballojë luftën pa probleme deri në vitin 2025. Përsa i përket pajisjeve, maksimumi deri në vitin 2026.
Ndoshta pak më herët, sepse ritmi i rinovimit të pajisjeve që po ndodh aktualisht nuk është aq i lartë”.
Bazuar në analizën e tij, Budanov shtoi se një luftë botërore nuk mund të përjashtohet, sepse të gjitha konfliktet rajonale që shpërthejnë në botë nuk kanë vetëm dimension lokal, por përfshijnë edhe fuqitë e mëdha ushtarake.
Sakaq, Amerika duket optimiste. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, kohët e fundit deklaroi se Ukraina ka rimarrë gjysmën e territorit të pushtuar nga Moska në vitin 2022: “Armët dhe pajisjet e shpallura do të ndihmojnë në mbështetjen e përparimit të Ukrainës dhe në ndërtimin e vrullit të mëtejshëm”, tha ai.
Pentagoni njoftoi një dërgesë të re armësh në Kiev me vlerë 200 milionë dollarë dhe paketa përfshin raketa Aim-9M për mbrojtjen ajrore, municione Himars, fishekë artilerie dhe armë të vogla.