MENU
klinika

Më i shtrenjti i viteve të fundit

Samiti i Procesit të Berlinit/ Sa i kushton Shqipërisë?

14.10.2023 - 09:11

Procesi i Berlinit në Tiranë, një ngjarje e madhe e politikës për Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Europian, është festë, sigurisht prestigj, por na kushton.

Samiti i 16 tetorit bashkë me organizimet paraprirëse në kuadër të tij i kanë kushtuar Shqipërisë 112 milionë lekë apo rreth 1,1 milionë euro. Konkretisht, 61 milionë lekë të akorduara në muajin shkurt shkuan kryesisht për Ministerialin dhe Forumin Ekonomik, ndërsa 51 milionë i janë dedikuar vetëm ngjarjes të së hënës, që vjen në ambientet e reja të Piramidës.

Vendimet e publikuara në Fletoren Zyrtare tregojnë se paratë për këto shpenzime do të merren nga Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve janë për infrastrukturën e dedikuar, si pritëse ashtu edhe akomoduese të liderëve. Gjithashtu, një pjesë e parave shkojnë për sigurinë dhe ushqimet që do u shërbehen të ftuarve jo të zakonshëm.

Të paktën në pesë vitet e fundit, Samiti i Procesit të Berlinit është organizimi shtetëror me shpenzimet më të larta, ndjekur nga Samiti i Diasporës në vitin 2019, ai i Bashkimit Europian vitin e shkuar dhe Samiti Digjital në vitin 2020.

Të dhënat nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë se vitin e shkuar janë shpenzuar më shumë para nga Fondi Rezervë për organizime të ngjashme, në vlerën e 112,1 milionë lekëve. Gjatë vitit 2021 u shpenzuan 98,5 milionë lekë, në 2020, 85,3 milionë.

Sipas agjendës që A2 CNN ka zbardhur, mbërritja e liderëve do të jetë rreth orës 11:00 të së hënës, për t’u përmbyllur pasdite me konferencën për shtyp të kryeministrit Edi Rama, Kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe Presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN