MENU
klinika

Analiza e REL

Pa u zbardhur sulmi në Banjskë, dialogu i paimagjinueshëm

16.10.2023 - 10:30

Nga sulmi i 24 shtatorit në Banjskë flitet pak për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë që i ndërmjetëson Bashkimi Evropian-përveç thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare që palët t’i kthehen këtij procesi.

Rastin e parë ato e kanë pasur në samitin e Komunitetit Politik Evropian, që është zhvilluar më 5 tetor, në Granadë të Spanjës, por pa ndonjë rezultat. Të pranishëm atje kanë qenë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Derisa Vuçiç, pa dhënë shumë detaje, ka thënë se është munduar t’ua shpjegojë përfaqësuesve evropianë qëndrimin e Serbisë, Osmani ka qenë më e drejtpërdrejtë.

“Nuk ka asnjë arsye për t’u takuar përpara se të miratohen sanksionet kundër Vuçiçit. Së pari sanksionet dhe më pas mund të flasim për pjesën tjetër”, ka thënë ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dialogu nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë në Banjskë.

Kosova e akuzon Serbinë për sulmin në Banjskë të komunës së Zveçanit, ku grupe të armatosura kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.

Serbia ka mohuar se ka gisht dhe, ashtu si Kosova, ka nisur hetimet e veta të sulmit. Analistët thonë se ngjarja e ka dëmtuar në masë të madhe procesin edhe ashtu të vështirë të dialogut Kosovë-Serbi dhe nuk presin që ai të vazhdojë në të njëjtin format.

Maja Pishçeviç, nga Këshilli Atlantik, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se, fillimisht, duhet të hetohet dhe të mësohet e vërteta pas sulmit në Banjskë.

“Është e vështirë për mua të imagjinoj se palët mund t’i kthehen tani tryezës së bisedimeve. Ato takime, as në muajt e kaluar, as në rastet e mëparshme nuk janë dukur mirë. Dy udhëheqësit nuk i kanë shtrënguar kurrë duart njëri-tjetrit. Dhe, a mund ta imagjinoni diçka të tillë të ndodhë tani?”, pyetet Pishçeviç.

Argumentet e ngjashme i mbron edhe Marina Vulloviç, nga Instituti Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë. Sipas saj, sulmi në Banjskë ka qenë i paparë që nga lufta në Kosovë, më 1999.

“Ne nuk i dimë motivet e vërteta të sulmit. Nuk e dimë se kush konkretisht e ka urdhëruar atë. E dimë se disa aktorë, së paku, e kanë marrë përgjegjësinë për të, por linja e komandës është ende një çështje e hapur. Financimi është një çështje e hapur, furnizimi me armë është gjithashtu një çështje e hapur”, thotë Vulloviç për Exposenë.

Autoritetet në Kosovë kanë etiketuar Millan Radoiçiçin si organizator të sulmit, por kanë thënë se ai ka vepruar me urdhër të aparatit shtetëror të Serbisë. Radoiçiç, i afërt me udhëheqësit serbë, e ka pranuar përgjegjësinë.

Ai është marrë në pyetje nga Prokuroria serbe dhe është ngarkuar me disa vepra penale, përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Vulloviç thotë se bashkësia ndërkombëtare duhet ta marrë shumë seriozisht rastin dhe t’i dërgojë sinjale të duhura politike Serbisë, përpara se t’i ftojë palët në bisedime. Sipas saj, shënjestër duhet të jetë regjimi serb, jo populli.

“Konkretisht mendoj në masa ndëshkuese kundër Serbisë, që ta sinjalizojnë atë se sulmet e tilla nuk do të tolerohen. Edhe nëse nuk provohet përgjegjësi konkrete, ose nuk provohet ndonjë lidhje midis kreut të shtetit [serb] dhe sulmit paraushtarak, duhet të ketë një lloj përgjegjësie politike për mbështetjen e atyre aktorëve që, në fakt, e kanë pranuar se qëndrojnë prapa sulmit”, thotë Vulloviç.

Vulloviç shton se tani i takon Bashkimit Evropian t’i bindë palët që t’i zbatojnë marrëveshjet për të cilat kanë rënë dakord. Por, sipas saj, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është prioritet tani, ashtu siç këmbëngul Serbia. Ajo thotë se sinjale të duhura për Kosovën që të kthehet në tryezën e bisedimeve, do të duhej të ishin: ndëshkimi i Serbisë, siguria në veri dhe një zë më i unifikuar i BE-së kur bëhet fjalë për njohjen e shtetësisë së Kosovës.

“Unë me të vërtetët nuk dua të besoj se dialogu ka vdekur, sepse e vetmja mënyrë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme të situatës, është përmes dialogut dhe pajtimit për një marrëveshje reciprokisht të dobishme. Ne e kemi një marrëveshje të tillë [për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi] nga marsi i vitit 2023, që është arritur fillimisht në shkurt, në Bruksel. Por, ajo nuk është zbatuar”.

“Tani, mendoj se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja duhet ta gjejnë se si t’i bindin palët për ta zbatuar atë marrëveshje. Unë mendoj se gjëja kryesore këtu janë hapat me të cilët duhet filluar. Dhe sulmi në Banjskë na ka treguar vërtet se me cilët hapa duhet filluar”, thotë Vulloviç.

Pishçeviç, nga Këshilli Atlantik, thotë se një gjë është e sigurt: formati i deritashëm i dialogut duhet të ndryshojë. Përpara se palët të ulen në tryezën e bisedimeve, kurdo që të ulen, ato duhet t’i kenë të qarta disa gjëra: çka duan të arrijnë, cili është afati kohor, cilat janë rregullat, cilat janë ndëshkimet dhe cilat janë motivet.

“Einsteini ka thënë: nuk mund të vazhdoni t’i bëni të njëjtat gjëra dhe të prisni rezultate të ndryshme. Mendoj se, deri më tani, të gjithë e kanë kuptuar se kjo nuk është rruga përpara, sepse nuk ka vullnet politik. Nuk ka vullnet nga asnjëra anë – po flas për të dyja palët – për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. Dhe viktimë e kësaj është populli”, thotë Pishçeviç.

E pyetur se ku mund të çojë situata aktuale, ajo përgjigjet:

“Kjo është një pyetje fantastike dhe e tmerrshme, sepse vërtet mendoj se kjo mund të çojë në gjithçka. Por, nëse më pyesni nëse do të ketë luftë të re, kjo nuk mendoj se do të ndodhë. Edhe pse, nuk më lejohet të mendoj se diçka është e pamundur në këtë pikë”.

Pas sulmit në Banjskë, Serbia ka grumbulluar trupa ushtarake në kufi me Kosovën, gjë që është dënuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat e kanë parë si “veprim shumë destabilizues”.

Megjithatë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka bërë përpjekje ta sigurojë Perëndimin se nuk e ka ndërmend t’i urdhërojë forcat ushtarake ta kalojnë kufirin, duke thënë se kjo do të ishte kundërproduktive për aspiratat e Serbisë për t’iu bashkuar BE-së. Vuçiç ka folur për gazetën Financial Times:

“Pse kjo do të ishte e dobishme për Beogradin? Cila do të ishte ideja? Ta shkatërrojmë pozicionin tonë që e kemi ndërtuar për një vit? Ta shkatërrojmë këtë brenda një dite? Serbia nuk dëshiron luftë”.

Përkundër këtyre garancive, disa zyrtarë thonë se situata në rajon ka potencial për t’u ndezur edhe me më të voglën shkëndijë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë këtë javë se ka rrezik në rritje të përsëritjes së sulmeve të dhunshme nga, siç është shprehur, “strukturat kriminale të Serbisë në Kosovë”.

Duke folur në një forum në Mal të Zi, javën e kaluar, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimi Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se “duhet të punohet për normalizim dhe dialog, por nga ana tjetër kemi përshkallëzim. Nuk ka të ardhme evropiane pa marrëdhënie të mira mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lajçak.

Më datë 21 tetor, në Prishtinë dhe në Beograd do të qëndrojnë përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it, SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, ashtu si edhe përfaqësues të BE-së, për të diskutuar çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Vuçiç, janë takuar për herë të fundit në Bruksel më 14 shtator, dhjetë ditë para sulmit në Banjskë.

Pas Banjskës, presidentja e Kosovës, Osmani, ka thënë se udhëheqjen në dialog duhet ta marrin Shtetet e Bashkuara.

Sipas bashkëbisedueseve të REL-it, vetëm trysnia e SHBA-së dhe BE-së mund të sjellë deri te një zgjidhje midis Kosovës dhe Serbisë. Në të kundërtën, Rusia, e cila vazhdon ta ketë shënjestër Ballkanin Perëndimor, mund të përfitojë nga kriza, thonë ato. /REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sulmet në Veri ku u vra një polic

Albin Kurti mbledh Këshillin e Sigurisë!

Presidenca e Kosovës i përgjigjet deklaratave të Ramës

“KFOR-i mbështet institucionet, nuk merr përsipër sigurinë në vend”

Vrasja nga terroristët serbë e policit në Veri

“BE e gatshme të konsiderojë masat ndëshkuese ndaj Serbisë”