MENU
klinika

Nga prokurori që ju vendos tritol, te emri i “dosjeve të nxehta”

Kush janë 8 magjistratët që kërkojnë të bëhen pjesë e SPAK?!

16.10.2023 - 17:07

Sot skadon afati i aplikimeve për 3 vendet vakante në SPAK dhe deri tani kanë shfaqur interes 8 prokurorë…

Ka shkuar në 8 numri i prokurorëve që kërkojnë të bëhen pjesë e SPAK. KLP pak javë më parë hapi garën për 3 vende vakante dhe sot është afati i fundit për ata që kanë interes. Edhe pse kishte hezitime fillimisht, sot ka pasur bum aplikimesh dhe mes tyre ka emra mjaft të njohur.

Sipas informacioneve, një emër i njohur që sapo ka dorëzuar dosjen është prokurori Ndini Tavani. Prokurori në fjalë u shkarkua nga KPK, por KPA e riktheu në detyrë. Ai është një prokuror që ka pasur në dorë dosje sensitive në karrierën e tij. Tavani ka pretenduar të jetë në SPAK që kur u ngrit struktura, por vendimi i KPK e ka penalizuar. Prokurori me karrierë 15-vjeçare njihet për hetimin e çështjeve të korrupsionit dhe i vetmi që dërgoi në qeli një ish- ministër (Spiro Kserën), para reformës.

Po ashtu interes kanë shprehur prokurorët Pali Deçolli, Bledar Maksuti dhe Anita Jella. Prokurori Deçolli është prokuror në Durrës. Ai e kaloi vetingun, ndonëse pati disa problematika. Është marrë kryesisht me çështje në këtë qark dhe një ndër dosjet e njohura është ajo kur u vodh Prokuroria e Durrësit.

Anita Jella ka qenë kryeprokurore në Durrës. Jella e ka filluar karrierën si prokurore në Elbasan në vitet 2001-2003 dhe më pas ka punuar si drejtuese e Prokurorisë së Librazhdit deri në vitin 2007.

Pas rikthimit për një vit në Prokurorinë e Elbasanit, Jella u emërua prokurore në Prokurorinë e Durrësit, ku e ushtron funksionin prej 10 vitesh. Më 9 maj 2018, Anita Jella u caktua përkohësisht drejtuese e Prokurorisë së Durrësit.

Ndërsa prokurori Maksuti është pjesë e Prokurorisë së Tiranës. Njësoj si Tavani edhe ai u shkarkua nga KPK, por kur shkoi në Apel, KPA e riktheu atë në detyrë. Bledar Maksuti e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore dhe e ushtron funksionin e prokurorit prej vitit 2008.

Kujtojmë se më herët kanë dorëzuar kandidaturën Prokurorja Sonila Muhametaj, Albert Kuliçi e pas tij edhe prokurori Olsi Dado.

Sonila Muhametaj ka qenë pjesë e Krimeve të Rënda. Ajo ka kandiduar dhe më herët për në SPAK. Madje në procesin e fundit ajo ngriti padi ndaj KLP në Gjykatën Administrative duke kundërshtuar procedurën e ndjekur. Sonila Muhametaj ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2007 dhe është emëruar prokurore në Prokurorinë e Krujës. Në vitin 2014, ajo është transferuar në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa në vitin 2015 u dekretua nga Presidenti si prokurore e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Në shtator 2018, Sonila Muhametaj ishte një ndër tre prokurorët e transferuar me urdhër të kryeprokurores Arta Marku pas një konflikti në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për dosjen “Shullazi”. Muhametaj ngriti padi kundër vendimit në Gjykatën Administrative dhe e fitoi çështjen, duke u rikthyer nga Prokuroria e Pukës në atë të Krimeve të Rënda.

Ndërkohë Olsi Dado aktualisht është prokuror i komanduar në SPAK. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP njoftoi më 15 mars se në mbledhjen plenare të datës 6 mars ka vendosur unanimisht të japë opinion pozitiv për transferimin e përkohshëm të prokurorit Olsi Dado, pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, pas adresimit të kërkesës nga kjo strukturë. Olsi Dado ka punuar në sektorin privat dhe si noter, përpara se të emërohej prokuror në Prokurorinë e Pogradecit në vitin 2008. Në vitin 2010 ai u transferua në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndërsa prej vitit 2020 u komandua në Prokurorinë e Përgjithshme si ndihmës magjistrat, transferim që u ndërpre më 6 mars, për të filluar një komandim të ri në SPAK.

Albert Kuliçi është një tjetër emër i njohur, që ka pasur dosje sensitive. Ai u bë i njohur pasi ka pasur një atentat me tritol kundër tij. Prokurori i Vlorës, Albert Kuliçi, me origjinë nga Tropoja, ka pasur në dorë vitet e fundit çështjet më të bujshme në Vlorë, duke filluar nga skandali i madh i tjetërsimit të pronave në Karaburun dhe Zvërnec, ku i përfshirë ishte edhe biznesmeni Pëllumb Petritaj dhe 4 zyrtarë u dënuan me burg, deri te koncesioni i parkingjeve në qytetin bregdetar, i cili u anulua pasi u konstatuan një seri shkeljesh.

Kuliçi ka hetuar edhe një aferë në Albpetrol, si dhe ka kërkuar vendosjen e sekuestros për një pallat 11 katësh në Vlorë, për të cilin u akuzua për shpërdorim detyre ish-kryebashkiaku Shpëtim Gjika.

Mes aplikantëve është edhe prokurori Kreshnik Ajazi. Ai aktualisht drejton Prokurorinë e Elbasanit. Një ndër operacionet e drejtuar prej tij ishte goditja e grupit të Laert Haxhiut. Mbetet të shihet deri në mbrëmje nëse do të ketë aplikime të tjera.