Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç ka sqaruar se përse e quajti kryeministrin Rama “babai i kombit”. Në një intervistë për Euronews Albania, ai tha se fakti që Samiti i Procesit të Berlinit u mbajt në Tiranë është një sukses i jashtëzakonshëm i cili po ndërton imazhin e Shqipërisë.
“Ka qenë një ditë jashtëzakonisht e suksesshme për të gjithë. Fakti që Procesi i Berlinit u mbajt në Shqipëri ishte diçka e madhe. Sa i takon mesazhit tim për kryeministrin Edi, Shqipëria ka pasur shumë kryeministra, por këto gjëra që po i ndodhin në kontekstin diplomatik në Shqipëri janë një gjë fantastike që ndërton imazhin e shtetit”, tha ai.
I pyetur se çfarë solli ky Samit kryeministri i Malit të Zi u përgjigj, ai tha se u arrit marrëveshja e cila nënkupton tregun e hapur për njerëz që punojnë në sektorin e mjekësisë.
“Është arritur marrëveshja e cila nënkupton tregun e hapur për njerëz që punojnë në sektorin e mjekësisë, pra tashmë pa ndalime të gjithë mund të punojnë në Shqipëri, në Serbi në Kosovë, në Bosnjë dhe në Malin e Zi, kjo e hap një treg të mirë sa i takon shëndetësisë. E dyta me rëndësi për Malin e zi, ishte pikërisht fakti që ne së bashku me presidenten e Sllovenisë dhe me ministren e Francës për integrimin evropian kemi bërë marrëveshjen për një qendër rajonale për integrim në Potgoricë. Ne jemi përfituesit më të mëdhenj në këtë Samit se kthehemi me diçka konkrete”, përfundoi Abazoviç.