MENU
klinika

Njihet sot me masën e sigurisë

Nën akuzë për pastrim parash dhe korrupsion, Jamarbër Malltezi mbërrin në GJKKO

23.10.2023 - 13:30

Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha ka mbërritur në ambientet e GJKKO.

Ai ka zbritur nga një furgon policie. Malltezi bashkë me ndërtuesin Fatmir Bektashi do të njihen me masën e sigurisë.

Ndërkohë, pritet që në orën 13:30, të jepet verifikimi i masës së sigurisë, për çështjen e ish-kompleksit “Partizani”.

Akuzat e ngritura:

Sali Berisha- Korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim, neni 260 dhe 25 i K.Penal

Jamarbër Malltezi – Korrupsion pasiv ne bashkëpunim Neni 260 dhe Pastrim i Produkteve ne bashkëpunim me Fatmir Bektashi neni 287 i K.Penal;

Fatmir Bektashi- Korrupsion aktiv dhe pastrim produktesh të veprës penale ne bashkëpunim me Jamarbër Malltezi.

Lidhur me çështjen e kompleksit Partizani, SPAK arrestoi në Rinas, Jamarbër Malltezin, ndërsa Sali Berisha dhe Fatmir Bektashi janë ndaluar të udhëtojnë jashtë shtetit dhe detyrohen të paraqiten në policinë gjyqësore. Sipas SPAK, ish-kryeministri Sali Berisha ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me Jamarbër Malltezin, bashkëshortin e vajzës së tij, ndërsa ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktet nënligjore për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv Partizani, ku përfitues ishte drejtpërdrejt edhe dhëndri i tij. Sali Berisha kreu veprime aktive në kontrolle administrative për të ushtruar presion dhe dha urdhëra konkretë për përfundimin e procedurave të privatizimit në favor mes të tjerëve edhe të Malltezit, bashkëshorti i vajzës së tij. Po ashtu SPAK deklaroi se ish kryeministri Berisha kreu veprime aktive për të vendosur në dispozicion të Malltezit struktura të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.

Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri. Ndërsa në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, Malltezi dyshohet se ka kryer pastrim të produkteve të veprës penale, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme shuma deri mbi 5 milionë euro.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN