Nga viti 2025, Gjermania do të prezantojë një standard të vetëm për karikimin e pajisjeve mobile dhe vetëm kabllot me prizë USB-C do të mbeten në treg.
Vendimi është në përputhje me direktivën e Bashkimit Evropian. Të mërkurën, qeveria e kancelarit Olaf Scholz miratoi një projekt-amendament të ligjit për standardizimin, njoftoi Ministria gjermane e Ekonomisë.
“Me ndryshimin e ligjit numërohen ditët e kaosit me porte të ndryshme për karikimin e telefonave, tabletëve dhe laptopëve”, tha ministri i Ekonomisë, Robert Habeck.
“Karikuesi universal i BE-së do ta bëjë jetën më të lehtë për konsumatorët dhe do të reduktojë sasinë e mbetjeve elektrike”, shtoi ministri.
Standardi USB-C do të jetë i detyrueshëm për telefonat inteligjentë, kamerat digjitale, kufjet, tabletët, konzolat portative të videolojërave, tastierat, e-librat, pajisjet GPS dhe altoparlantët që ngarkohen me kabllo.
Për laptopët, standardi do të jetë i vlefshëm nga viti 2026. Sipas ministrisë, në vitin 2020, banorët e BE-së blenë rreth 420 milionë pajisje elektronike. Çdo përdorues ka mesatarisht tre lloje karikuesish, dy prej të cilëve të përdorur rregullisht.