Epidemiologu i njohur Ilir Alimehmeti, i ftuar në studion e “Wake Up”, në Top Channel, ka folur për skenarët e mundshëm për një pandemi tjetër pas Covid-19.
Sipas tij pandemi të tjera patjetër që do ketë, por kur apo çfarë tipi nuk dihet. Prandaj ngrihen skenarë, për të ndihmuar në marrjen e masave parandaluese.
Blendi Salaj: Do ketë një pandemi tjetër? Patjetër që do të ketë siç ka patur në të kaluarën, jo një po disa.
Ilir Alimehmeti: Nuk është çështja do ndodhë apo nuk do ndodhë. Do ndodhë, por askush nuk mund ta thotë se kur apo çfarë tipi. Kalkulimi bëhet me një që ne e quajmë probabilitet. Probabiliteti i kësaj, në një vijë të ngjashme me Covidin, është afro 2% në vit. Këto bëhen që ne të jemi gati për t’ju përgjigjur apo për të investuar masa të mëparshme parandaluese.
Epidemiologu Alimehmeti përmendi edhe Sëmundjen X një nga skenarët e OBSH, ku sipas tij, qëllimi është të ngrihen disa përgjigje.
Ilir Alimehmeti: Është njësoj sikur ne të ngremë një grup ushtarësh dhe të themi, po sikur të na vijë një armik nga ky krah. Kjo nuk do të thotë që po na vjen armiku. Kjo është detyra jonë, që të bëhemi gati në qoftë se diçka ndodh dhe çfarë mund të bëjmë. Për shembull ne si Shqipëri fare mirë mund të bëjmë testimin e ujërave të zeza, për patogjenë, viruse që kushton shumë më pak sesa kostoja e kësaj studio. Pra këto skenarë, prodhojnë çfarë veglash na duhen neve që të përballemi nesër sepse fatmirësisht ne si njerëz kemi prodhuar vegla dhe sisteme, t’i përdorim në favorin tonë dhe jo në disfavorin tonë.