MENU
klinika

Përfitimet prej tyre

Ushqimet që ju duhen kur merrni antibiotikë

03.11.2023 - 20:01

Mjekët rekomandojnë që të shmangim sa më shumë përdorimin e antibiotikëve, kjo për shkak të efekteve anësore që ato kanë.

Efektet anësore shpesh herë sjellin pasoja për organizmin, kryesisht në stomak. Disa nga efektet anësore të përdorimit të antibiotikëve janë përziera, diare, fryrje, probleme me tretjen, dhimbje të stomakut dhe humbje të oreksit.

Lexoni për ushqimet që duhet të hani dhe të shmangni kur merrni antibiotikë.

Probiotikët

Përdorimi i antibiotikëve mund të prishë ekuilibrat e baktereve të nevojshme në stomak. Probiotikët janë të domosdoshëm sepse zbusin shumë prej efekteve anësore të antibiotikëve.

Nëse merrni probiotikë, rekomandohet që ato të merren në një diferencë kohore prej 2 orësh nga antibiotiku. Probiotikët duhen marrë edhe pas mbarimit të kurës me antibiotikë për të kthyer ekuilibrat e baktereve në stomak. Ushqimet e pasura me probiotikë janë kosi, kefiri, ushqimet e fermentuara, si turshitë, djathi i napës, etj.

Prebiotikët

Prebiotikët konsiderohen si ushqim për bakteret e mira në stomak.

Ushqimet më të pasura me prebiotikë janë; qepa, hudhra, banania, çikorja, kosi e të tjerë.

Me prebiotikët duhet të tregoni kujdes dhe të mos merrni sasi të mëdha sepse për shkak të fibrës mund të përjetoni gazra dhe fryrje.

Vitamina K

Antibiotikët shkatërrojnë shumë baktere në organizëm, përfshirë ato që prodhojnë vitaminën K, për të cilën trupi ka nevojë të sigurojë mpiksjen e gjakut.

Kurat e antibiotikëve duhet t’i shoqëroni me shumë barishte si spinaqi, barishtet e egra, majdanozi, lakrat e vogla e të tjerë.

Fibra

Ekspertët paralajmërojnë se kur marrin një kurë me antibiotikë, njerëzit duhet të shmangin ushqimet me sasi të mëdha fibre sepse kjo e fundit ndikon në përthithjen e barnave.

Por me të mbaruar kurën, fibra është e domosdoshme dhe ajo gjendet tek: bananet, frutat e pyllit, bishtajore, brokoli, arrorët dhe drithërat e plota.