MENU
klinika

Parashikimi i motit gjatë javës

Meteorologu tregon kur pritet të ketë reshje shiu dhe ulje temperaturash

06.11.2023 - 10:10

Java ka nisur me mot të qëndrueshëm por nga e mërkura priten reshje shiu në të gjithë vendin.

Meteorologu Hakil Osmani thotë se rrebeshet e shiut do të prekin zonat veriore dhe qendrore dhe më të pakta do të jenë në jug. E enjtja sjell përmirësim të motit ndërsa shirat rikthehen sërish të premten.

Sa i përket temperaturave, deri në mesjavë do të jenë të larta ndërsa nga e mërkura dhe në vijim pritet që të ketë rënie graduale deri në 22 gradë. Ndërkohë, për vendet e rajonit, Osmani tha se do të preken nga moti i keq nga e mërkura. Ai shtoi se rrebeshet e shiut do të jenë më të dukshme në Malin e Zi.

“Fillim java ka nisur me mot të qëndrueshëm duke bërë që të kemi alternime kthjellimesh dhe kalime vranësirash. Vranësirat, gjatë ditës së mërkurë, pritet të sjellin rrebeshe shiu në zonat veriore dhe qendrore ndërsa reshjet e shiut do të jenë në sasi më të pakta në zonat jugore. Presim përmirësim të përkohshëm të kushteve të motit ditën e enjte por sërish e premtja do të zhvillojë vranësira, duke bërë që të kemi rrebeshe shiu në të gjithë vendin. Priten të jenë me intensitet mesatar dhe lokalisht intensiv.

Temperaturat e ajrit, gjatë kësaj fillim jave mbeten të larta, duke bërë që maksimumet të jenë në vlerat 24 apo 25 gradë celcius. Nga e mërkura dhe në vijim do të kemi rënie graduale të temperaturave duke bërë që maksimumet të shkojnë rreth vlerës 22 gradë. Për sa i përket parametrit të erës, në fillim jave do të jenë problematike por pritet që në pjesën e dytë të javës pritet që hera pas here era të bëhet edhe më e fortë dhe me shpejtësi mbi 60 km/orë.

Vendet e rajonit, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi sot mbeten me mot të qëndrueshëm dhe pritet që vranësirat të bëhen më të dukshme duke filluar nga e marta dhe e mërkura, me rrebeshe shiu. Përmirësim të kushteve të motit do të ketë ditën e enjte por reshjet rikthehen të premten, duke bërë që më të dukshme të jenë në Malin e Zi, në zonat perëndimore të Kosovës dhe në Maqedoninë e Veriut në zonat perëndimore. Rrebeshet e shiut do të jenë më të dukshme në Malin e Zi”, tha Osmani.