Qeveria ka miratuar ditën e sotme (08 Nëntor) planin e menaxhimit të basenit ujor Erzen për periudhën 2024-2029.
Në listën e vendimeve të miratuar në mbledhjen e qeverisë, thuhet se me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e Planit të Menaxhimit të Basenit Ujor Erzen 2024-2029, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Zbatimi i këtij plani, sipas vendimit nis nga viti i ardhshëm, ndërsa thuhet se për administrimin e burimeve ujore do të ngarkohen organet përgjegjëse.
Vendimi:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “d”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 23, të kreut 3, të shtojcës II, të vendimit nr.1015, datë 16.12.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përmbajtjen, zhvillimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Menaxhimit të Burimeve Ujore, të planeve të menaxhimit të baseneve ujore dhe planeve të menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e Planit të Menaxhimit të Basenit Ujor Erzen 2024-2029, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Zbatimi i Planit të Menaxhimit të Basenit Ujor Erzen 2024-2029 fillon në vitin 2024.
Ngarkohen organet përgjegjëse për administrimin e burimeve ujore dhe të gjitha institucionet e përmendura në tekstin e këtij plani për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.