MENU
klinika

"Kishte edhe raste të tjera zjarri, ndodhnin nga..."

Çështja “Gërdeci”/ Gazetarja Hoxha zbardh detaje të reja nga dëshmitë

09.11.2023 - 17:20

Gazetarja Anila Hoxha ka mësuar detaje të reja nga dëshmitë e çështjes “Gërdeci”, ndërsa seanca e kësaj të enjteje vijon ende.

Punonjësi Julian Pando tha se kishte pasur edhe raste të tjera të zjarrit në fabrikën e demontimit të armëve, të cilat i kanë fikur me fikëse zjarri dhe ujë.

Sipas Anila Hoxhës, ai u shpreh gjatë seancës se ditën e shpërthimit nuk kishte parë njeri të tentonte të fikte zjarrin dhe se atë ditë kishte më shumë barut se ditët e tjera.

Pando shtoi se flakët ditën e shpërthimit ishte e madhe dhe nuk menaxhohej me ujë dhe fikëse zjarri.

Punonjësi Julian Pando: Më punësoi Dritan Minxolli. Puna ime ishte të mblidhja barutin. Isha përgjegjës i një grupi. Nuk duhet të lija shumë barut në shesh. Përgjegjësi im ishte Veiz Muça. Muri ishte e vetmja makineri që kishim. Në fazën e parë, baruti mblidhej me kova, në fazën e dytë me thasë. Na porositën të kishim kujdes gjatë fazës së parë. S’kishte orar për grumbullimin e barutit, vetëm kur bëhej sasia. Ishte orar dreke, nuk e pashë si ndodhi, pashë flakën e u largova. Ish ushtarakët na porosisnin të kishim kujdes, se ishte e rrezikshme. Kishim fikëse dore zjarri, të mëdha e të vogla. Nuk kisha bërë trajnim. Ka pasur më herët zjarr, e kemi fikur me fikëse zjarri dhe ujë. Ditën e shpërthimit nuk pashë njeri që të tentonte të fikte zjarrin, atë ditë kishte më shumë barut se ditët e tjera. Kishte karroca dore që transportohej baruti. Nuk e di si bëhej transporti. Zjarret e vogla shkaktoheshin nga përplasja e gëzhojave, ndaj s’duhet të kishte barut në tokë. Flaka ditën e shpërthimit ishte e madhe, nuk menaxhohej me ujë dhe fikëse. Thashë, kjo flakë nuk shuhet. Sasia e predhave ishte më e madhe sesa kapaciteti i punëtorëve. Nuk kisha kontratë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN