MENU
klinika

Ngritja dhe rënia e Dritan Rexhepit

Si organizohej karteli i ‘El Chapo’ shqiptar dhe lidhjet me trafikantët më të fuqishëm të botës

10.11.2023 - 14:24

Arrestimi i Dritan Rexhepit duket se do hapë probleme për grupet kriminale dhe prishjen e shumë marrëveshjeve.

‘Karriera’ kriminale e Dritan Rexhepit, i cili u arrestua sot në Stamboll, ka nisur në periudhën kur Shqipëria ishte në tranzicion në vitet 1990. Asokohe kur ishte adoleshent, Rexhepi dyshohej se kishte kryer vrasje me porosi.

Në 2005, Rexhepi kishte vendosur të studionte për drejtësi, por plani i tij nuk u realizua kurrë, sepse sipas tij, ishte akuzuar gabimisht për vrasje. Kjo gjë e drejtoi drejt tregtisë së drogës.

“Kisha dy mundësi, t’i dorëzohesha një sistemi të padrejtë dhe të kalbur në Shqipëri, që do të çonte në burgim të përjetshëm, ose të kërkoja një shans të dytë për të bërë diçka tjetër me jetën time. Prandaj u futa në tregtinë e drogës”, deklaronte asokohe Rexhepi për Balkan Insight.

Në 2006-ën, Rexhepi u arratis nga qelia e burgut në Durrës në rrethana ende të paqarta. Dy vite më vonë u arrestua në Holandë dhe u ekstradua në Itali ku ishte dënuar për trafik droge.

Në vitin 2008, ai u arrit të arratisej nga burgu i Pavias në Itali, së bashku me dy shqiptarë të tjerë. Rexhepi kishte marrë makinën e një të moshuare dhe ishte zhdukur, duke bërë që i gjithë personeli i burgut të shkarkohej. Rexhepi dhe dy të tjerë përdorën një sharrë hekuri për të prerë hekurat e një dritareje në një korridor. Ata arritën në katin e parë me çarçafë. Dy të tjerët ishin dënuar për krime të rënda të dhunshme. Ata ndaluan një makinë, e tërhoqën shoferin dhe u zhdukën pa lënë gjurmë.

Në 2011, Rexhepi u arrestua nga policia e Spanjës por nuk u ekstradua drejt Italisë. Në vend të kësaj, u mor vendimi për ekstradimin drejt Belgjikës ku gjithashtu kërkohej për trafik droge. Ai u çua në një burg në Antëerpen, nga ku arriti të arratisej sërish pasi rojet nuk ishin lajmëruar për nivelin e rrezikshmërisë së tij.

Po këtë muaj mediat spanjolle u hapën me një kryeartikull, ku e cilësonin Dritan Rexhepin “mbret” të arratisjeve. Gazetarët në Spanjë shkruan disa ditë rresht për shqiptarin e kërkuar, pasi ai realizoi grabitjen e një prej bankave më të mëdha në Barcelonë, mbrëmjen kur gjithë tifozët gjendeshin në shesh duke festuar fitoren e “Champions Lige”-s nga ekipi i Barcelonës.

Pas kësaj arratisje, Rexhepi dyshohet se jetonte në Roterdam nga ku më pas së bashku me një grup shqiptarësh ngriti rrjetin e trafikut të drogës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.

Rexhepi rezultonte i regjistruar me emrat Ioannis Dionysopoulos (emër grek) dhe me Lulzim Murataj (emër shqiptar) e Gramoz Rexhepi (emër shqiptar).

Organizimi i kartelit

Nga qelia e tij në Eduador në fillim të marsit 2016, Dritan Rexhepi po negocionte shitjen e një sasie prej 300 kilogramësh kokainë me përfaqësuesin e tij të besuar në Europë, Jorin Llambro – i cili njihej gjithashtu me nofkën ‘qorri’ ose ‘Montecarlo’ dhe banonte mes Shqipërisë dhe Holandës.

Organizata e tij kriminale përdorte disa logo për t’i shenjuar pakot e kokainës që trafikonte nga Ekuadori në Europë, përfshirë Audi, RS6 dhe Bello.

Në një bisedë të përgjuar nga prokuroria italiane, Rexhepi e pyet Llambron se çfarë logo duhej t’u kërkonte kolumbianëve që të shtypnin mbi kokainë dhe ky i fundit sugjeron C.B, – iniciale të “Kompanisë Bello”, duke shtuar se ata duhej të jepnin sinjalin se kjo ishte ‘marka e tyre e fabrikës’.

“Duhet të hyjmë me emrin tonë në treg, pasi nuk njihet shumë mirë,” shkruan Llambro.

I entuziazmuar, Rexhepi iu përgjigj se marka e tyre do të ishte ‘Bello”, e cila që nga ajo ditë ka shenjuar të gjithë spedicionet e kokainës së trafikantit shqiptar nga Amerika Jugore drejt Europës.

Sipas hetimeve të prokurorisë së Firences, e ashtuquajtura “Kompania Bello” ishte një kartel i përbërë nga organizata kriminale shqiptare të përfshira në trafikun e drogës, i themeluar të paktën që nga viti 2014 në një vend të papërcaktuar dhe që operonte në Ekuador, Holandë, Belgjikë, Shqipëri dhe Itali.

Ky kartel përbëhej nga 14 organizata kriminale, të cilat kanë krijuar një strukturë organizimi të nivelit superior – një lloj federate të krimit transnacional, e cila ka qëllim të përfitojë dhe të ndajë shërbime të përbashkëta, që mundësojnë trafikimin dhe shpërndarjen e drogës dhe forcimin e entiteteve përbërëse.

“Qëllimi i tyre ishte shtrirja e kontrollit mbi trafikun ndërkombëtar të drogës dhe rritja në mënyrë eksponenciale e fitimeve të anëtare të federuar,” shkruan Prokuroria e Firences në kërkesën për masat e sigurisë kundër pjesëtarëve të kartelit.

Federata u mundësonte këtyre organizatave kriminale importimin dhe shitjen e sasive të mëdha të drogës nga Amerika Jugore në portet holandeze dhe belge në Europë, nëpërmjet një raporti të privilegjuar me prodhuesit amerikano- jugorë të kokainës.

Përveç organizatës së Rexhepit, organizata të tjera themeluese të kartelit janë edhe dy grupe kriminale të rëndësishme shqiptare, të udhëhequr nga dy persona të paidentifikuar, të njohur nga prokuroria e Firences si Gimi dhe Reti.

Me qendër në Holandë, grupi kriminal i drejtuar nga Reti është ndërmjetës i trafikut të drogës midis grupit të Rexhepit dhe organizatave të tjera kriminale shqiptare të nivelit më të ulët, të përfshira në shpërndarjen e drogës në Europë. Ndërkohë, grupi kriminal i Gimit, që është gjithashtu themelues i kartelit “Kompania Bello”, ka lidhje direkte me importues të tjerë shqiptarë kokaine nga Amerika Jugore.

Një tjetër grup i rëndësishëm kriminal i identifikuar nga hetimit është dhe ai vëllezërve Gerti dhe Edmond Marku, të cilët edhe pse të federuar në kartel nëpërmjet Retit dhe të furnizuar me drogë gjithashtu nga Gimi, janë grosistë të mëdhenj të trafikimit të drogës nga Holanda drejt Italisë, Gjermanisë dhe vendeve të tjera të Europës.

Një rol të rëndësishëm në këtë kartel kishte dhe grupi kriminal i udhëhequr nga Eldi Dizdarit – i arrestuar si pjesë e operacionit “Los Blancos” në Dubai, i specializuar në nxjerrjen e sasive të mëdha të drogës nga portet holandeze.

“Ky është numri një,” shkruan Jorin Llambro në një bisedë me Dritan Rexhepin të përgjuar nga policia italiane. “Ky në një rast ka nxjerrë 4 tonelata,” shton ai, duke iu referuar kokainës.

Një tjetër grup i spikatur i kartelit ishte ai i drejtuar nga Gentjan Manaj, i cili u arrestua në Shqipëri si pjesë e operacionit “Los Blancos” dhe që merrej me menaxhimin dhe transferimin e parave midis grupeve të ndryshme kriminale që përbënin “Kompaninë Bello”.

Karteli mundësonte depozitimin dhe ruajtjen e sasive të mëdha drogës në baza të fshehta në Holandë dhe Belgjikë, si dhe shpërndarjen e saj sipas kërkesave të organizatave pjesëmarrëse.

Ky rrjet kriminal kishte ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme me trafikantët amerikano- jugorë, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm me kokainë për tregun europian.

Gjithashtu, ‘Kompania Bello’ kishte siguruar pakte dhe akorde midis organizatave kriminale shqiptare, për shkëmbimin ose ndarjen e korrierëve për trafikun e drogës mes Holandës dhe Italisë, si dhe në rekrutimin e shoferëve dhe korrierëve.

Këto organizata bashkëpunonin edhe përsa i përket shkëmbimit të informacioneve mbi hetimet dhe çështjet gjyqësore që preknin anëtarët, si dhe përdornin e një rrjeti komunikimi të kriptuar dhe kode të përbashkëta me anë të të cilave bëheshin marrëveshje dhe shkëmbeheshin ide për aktiviteteve kriminale.

Karteli u mundësonte anëtarëve që të bënin pagesa në para në vende të ndryshme nga ku transferohej droga, nëpërmjet rrjeteve klandestine të pastrimit të parave. Gjithashtu, organizatat kriminale shqiptare ndanin një rrjet të përbashkët korrupsioni të zyrtarëve publikë të ngarkuar me kontrollin e ngarkesave në porte, në fazat e ndryshme të transportit të kokainës nga Amerika Jugore në Europë.

Lidhjet me Narcos

Sipas prokurorëve italianë, organizata kriminale e themeluar nga Dritan Rexhepi ishte më e shtrira gjeografikisht dhe më e rëndësishmja në të gjithë panoramën e trafikantëve shqiptarë të drogës që kanë qenë subjekt i hetimit 5-vjeçar.

Rexhepi kishte një marrëdhënie të privilegjuar me kartelet kolumbiane të prodhimit të kokainës nëpërmjet trafikantit ekuadorian, Cezar Emilio Montenegro Castillo – i njohur gjithashtu si ‘Don Monti’, i cili është kreu i trafikantëve ekuadorianë të lidhur me kartelin kolumbian “Norte dell Valle” dhe kartelin meksikan të drogës së Sinaloas.

Karteli kolumbian ‘Norte dell Valle’ është një organizatë kriminale e nivelit superior që operon nga rajonin Valle della Cuca të Kolumbisë, me qendër në qytetin bregdetar të Buenaventuras. Ky kartel u rrit në rëndësi nga fundi i viteve ’90, pas fragmentimit të karteleve të Calit dhe Medelin në Kolumbi.

Ndërkohë, karteli meksikan i Sinaloas me qendër në qytetin Culiacan të Meksikës, është një nga organizatat më të mëdha të trafikut të drogës në botë, e udhëhequr për një kohë të gjatë deri në arrestimin dhe ekstradimin e tij në SHBA nga Juaqim Guzman Loeira, i njohur me nofkën ‘ El Chapo’.

Nëpërmjet një vartësi të tij të identifikuar me emrin Diomar dhe që përdor kodin e komunikimit Antrax, Montenegro Castillo organizonte dhe promovonte trafikimin dhe eksportimin e kokainës drejt Europës në sasi mbi 1 ton, duke e fshehur në anije që mbajnë kontejnerë dhe bëjnë linjën Guyaquil – Europë, drejt porteve të Holandës dhe Belgjikës.

“Në kontakt direkt me Rexhepin për importin drejt Europës të ngarkesave me kokainë sipas rregullave të mirëpërcaktuara – sipas të cilave çdo spedicion realizohet me modalitetin 50 me 50, [ekuadorianët] për çdo ngarkesë që i japin shqiptarëve, shtojnë edhe një ngarkesë të barabartë për llogari të tyre, e cila i besohet grupeve kriminale në Holandë për shpërndarje,” shkruan Prokuroria e Firences.

Sipas prokurorëve italianë, Rexhepi ka arritur të sigurojë kredit dhe besim tek narkotrafikantët amerikano- jugorë, jo vetëm për potencialin e tij të madh në trafikun e drogës, por edhe për faktin se kishte arritur të konkurronte organizatat kriminale kineze në transferimin e parave të drogës.

Përgjithësisht, pagesa e kokainës drejt Amerikës Jugore nga Europa bëhet nëpërmjet organizatave kriminale kineze kundrejt tarifave të caktuara. Kriminelët i dorëzojnë paratë cash për të paguar kokainën në Holandë dhe Angli dhe kjo sasi parash u paguhet trafikantëve në Amerikën Jugore nga persona të lidhur me krimin kinez – pa transferim fizik të parave nga Europa në Amerikë.

Rexhepi është përfshirë në këtë mekanizëm, duke u propozuar ekuadorianëve transferimin e parave me tarifa më të lira. Metoda e tij përfshinte transferimin fizik të parasë nëpërmjet korrierëve ose nëpërmjet transfertave të shumta, të realizuara nëpërmjet zyrave Ëestern Union.

Madje në një rast, pas sinjalizimit të policisë italiane, një çifti korrierësh shqiptarë iu bllokua një sasi prej 350 mijë eurosh në aeroportin e Guayaquil-it në Ekuador.

“Curriculimi i Rexhepit tregon pa dyshim shtyrjen dhe kapacitetin e tij kriminal për të menaxhuar trafiqe të rëndësishme në nivel botëror dhe përfshirjen e tij të plotë në to, megjithë gjendjen e tij si i burgosur,” shkruan Prokuroria e Firences.

“Perandoria” e kokainës

Në janar 2017, Dritan Rexhepi në bashkëpunim me Montenegro Castillo dhe Diomar organizuan dërgesë droge me kontejner nga porti i Guayaquil në Ekuador në portin Antëerp në Belgjikë, ku 371 kilogramë nga ngarkesa i përkisnin trafikantit shqiptar.

Policia italiane, e cila ndërkohë po i përgjonte komunikimet e kriptuara me ‘chatt’ midis trafikantëve, njoftoi autoritetet gjyqësore ekuadoriane për të tentuar identifikimin e kontejnerit dhe ndalimin e ngarkesës së drogës.

Megjithë përpjekjet e autoriteteve portuale, kontejneri nuk u identifikua. Konfirmimi për kontrollet e policisë ekuadoriane jepet edhe nga mesazhet e shkëmbyera midis Rexhepit dhe Diomar. Ky i fundit, pas nisjes së anijes, i shkruan Rexhepit se megjithëse kishte pasur një risk të lartë që droga të zbulohej, tashmë malli ishte i sigurt.

“Mik, dikush ka informuar për ngarkesën dhe edhi një kapiten ‘bir kurve’ për të zbarkuar arkat,” i shkruan ai Rexhepit me 15 janar 2017. “Megjithatë, çdo gjë shkoi mirë, nuk panë asgjë dhe tashmë është nisur,” e qetësoi ai më tej.

Dy bashkëbiseduesit kënaqen me përfundimin me sukses të punës dhe mbi të ardhmen e trafikut të kokainës, pasi kjo dërgese ishte bërë për një grup të rëndësishëm trafikantësh shqiptarë, me anë të të cilëve ata synonin të hapnin një ‘kanal’ të tyrin drejt Europës.

“Shiko mik, në qoftëse na ecën mirë me ata njerëz, nuk do të kesh ku t’i fusësh paratë, më beso,” i shkruan Rexhepi.

Metoda e fshehjes së kokainës në kontejnerë nga grupi kriminal i Dritan Rexhepit njihet si “sistemi”. Ajo përfshinte hapjen e dyshemesë së kontejnerit, mbushjen me pako kokaine dhe shkumë izoluese të hapësirës boshe, rivendosjen e dyshemesë dhe saldimin e saj për të izoluar ngarkesën e paligjshme. Droga zakonisht rikuperohej pasi kompania importuese e mallit të ligjshëm që ngarkohej në kontejner, arrinte në destinacion dhe shkarkohej.

Një ditë më vonë, Dritan Rexhepi dhe Diomar bëjnë llogaritë. Nga biseda del që Rexhepi e kishte blerë kokainën me 4400 USD për kilogram dhe kostoja totale për 371 kilogramët e tij ishte 1,63 milionë USD, nga të cilat 1.2 milionë USD ishin parapaguar.

Sipas bisedave të tjera të përgjuara nga Prokuroria dhe policia italiane, për sasi më të mëdha se 500 kilogramë kokainë, çmimi i nisjes së kokainës nga Ekuadori arrinte në 6500 USD me “garancinë e shtetit” dhe 5500 pa garanci.

Pasi arrinte në Europë, çmimi me të cilën iu shitej grosistëve ishte midis 22 mijë eurove dhe 24 mijë eurove për kilogram. Vetëm sasia e dërguar nga Rexhepi prej 371 kilogramësh në janar 2017, do t’i siguronte atij një shumë prej 8 milionë eurosh, shkruan reporter.

Vlerësimi i të ardhurave nga trafiku i drogës është i vështirë, pasi nuk ekzistojnë statistika për ekonominë e nëndheshme.

Megjithatë, duke vlerësuar flukset mesatare të kokainës së identifikuar gjatë hetimeve, prokurorët italianë kanë bërë një vlerësim të pjesshëm për grupin e vëllezërve Marku dhe për organizatën e drejtuar nga Dritan Rexhepi – në mënyrë që të nxirrnin urdhrat e sekuestros preventive për asetet që dyshohet se kanë rrjedhur nga aktiviteti kriminal.

Përsa i përket vëllezërve Marku, duke u bazuar nga bllokimi në një rast në Holandë i 1.4 milionë eurove që i përkisnin xhiros për shitjet ditore të drogës, prokurorët e Firences vlerësojnë se ata qarkullonin të paktën 50 kilogramë në javë dhe arrinin një xhiro vjetore prej 70.2 milionë eurosh.

Në realitet, qarkullimi mund të jetë edhe më i madh, pasi në hetim theksohet se kishte ditë që i njëjti grup shiste deri në 50 kilogramë kokainë me 27,000 euro/kg.

“Duke qenë se hetimi ka fotografuar fenomenin kriminal që lidhet me vëllezërit Marku – nga viti 2014 deri në arrestimin e Gerti Markut në prill 2017, vlerësohet se organizata ka qenë aktive për të paktën 3 vjet,” thekson Prokuroria e Firences.

“Fitimi i përgjithshëm që mund të përllogaritet për kohën kur ekzistenca e grupit kriminal është monitoruar është 210 milionë euro,” shton prokuroria.

Ndërkohë, për grupin e Rexhepit, prokurorët italianë vlerësojnë se ai ka trafikuar të paktën 2368 kilogramë kokainë në vitin 2016 dhe 3654 kilogramë në vitin 2017, me një çmim mesatar shitjeje me shumicë prej 23,500 eurosh dhe një vlerë totale të ardhurash për dy vite prej 141 milionë eurosh.

Rregullat e kartelit

Karteli është unik në llojin e tij: ai ka formën e një “federate transnacionale” dhe përbëhet tërësisht nga organizata kriminale shqiptare me qendër në Kontinentin e Vjetër. Për herë të parë në histori, trafikantët shqiptarë të drogës nuk kanë pse u drejtohen përfaqësuesve të karteleve të Amerikës Latine në Evropë ose mafieve italiane: janë ata që administrojnë trafikun, nga mbledhja te shpërndarja.

Logjika e Kompania Bello është e thjeshtë, por praktike: kokaina transportohet me anije dhe hyn në Kontinentin e Vjetër nga portet e Antëerpit dhe Roterdamit, paratë pastrohen përmes sistemit kinez fei ch’ien, anëtarët komunikojnë me kode duke përdorur ekskluzivisht shërbimet e koduara.

Asnjë nga këto nuk do të ishte e mundur, megjithatë, në mungesë të një elementi themelor: korrupsionit. Të korruptuar ishin rojet në burgun e Quito-s, ashtu siç ishin të korruptuar anëtarët e personelit në portet e zgjedhura për shitjen e ngarkesave.

Për më tepër, organizata kishte miratuar një kod të sjelljes bazuar në heshtjen dhe besnikërinë. Secili anëtar, duke iu bashkuar Kompania Bello, pranoi t’i nënshtrohej një sërë rregullash, duke përfshirë hakmarrjen ndaj familjes së tij në rast tradhëtie. Udhëheqësit e bandave gjithashtu morën përsipër të rekrutonin ushtarë të rinj dhe tregtarë të drogës midis diasporës, veçanërisht në Hollandë dhe Itali, për të shpejtuar shitjen e ndeshjeve.

Rënia e Kompanisë “Bello” me Dritan Rexhepin

Epoka e Kompania Bello zgjati deri më 15 shtator të vitit të kaluar, ditën në të cilën Europol, Interpol dhe polici te ndryshme kombëtare arrestuan njëzet njerëz në dhjetë vende, përfshirë Shqipërinë, Italinë, Rumaninë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe i dha fund burgosjes së artë të Rexhepit.

Arrestimi i Dritan Rexhepit duket se do hapë probleme për grupet kriminale dhe prishjen e shumë marrëveshjeve.

U vra një javë më parë nga bashkëmoshatari!

Qytetarët protestojnë për vrasjen e 14-vjeçarit, Martin Cani

Nga ish-gjyqtari tek zyrtari i lartë i Policisë! 18 të arrestuar!

Aksioni blic në Elbasan/ Zbardhen detaje nga operacioni i SPAK!

Operacioni ku u arrestuan dy ish-gjyqtarë

SPAK kontrolle në bizneset e Suel Çelës në Elbasan

Kush është personi që ndihmoi autorin të largohej

Vrasja e Martin Canit/ Dyshime se janë përdorur dy thika