Ndeshja e futbollit Kosovë-Izrael, ka qartësisht një rëndësi të madhe ekstrasportive. Duhej të zhvillohej ditët e sulmit të Hamasit mbi Izrael, por u shty për 12 nëntor. Është shfaqja e parë publike e kësaj kombëtareje, pas sulmit dhe udhëtimi i saj deri në aeroport u shoqërua nga rënia e një rakete të Hamasit në afërsi. Futbolli afron një skenë teatri globale, për shkak të transmetimit televiziv, ndaj shpesh herë politikanët a grupet e interesit josportiv kanë dashur t’ia rrëmbejnë shoun sportit, me mesazhe gjithfarëshe në banderola, apo akte josportive. Kjo shfaqje po ndodh ndërsa po intensifikohet vala protestuese në shumë vende të botës, kundër veprimeve ushtarake të Izraelit në Gaza. Si shfaqje, jo vetëm sportive në kontekstin e një konflikti të përgjakshëm ka kësisoj rëndësi të madhe dhe në sferën e sigurisë: aktet konfliktuale, përplasëse, terroriste fitojnë një jehonë globale. Nëse ka një shfaqje në një stadium në aksh shtet, atëherë mund të fillojë kopjimi në shfaqje të ngjashme, etj, etj. Autoritetet e sigurisë nuk kanë mundësi të përkryera të mbajnë në kontroll organizime kaq masive dhe vetëm ndeshja pa tifozë garanton siguri. Si për ilustrim tragjik, sportistët izraelitë kanë qenë ndonjëherë viktima të agjendave terroriste si në Olimpiadën e Munihut në vitet 70.
Pas gjithë këtyre argumenteve; shtrohet pyetja: Kush mund të ketë interesim që t’i japë karakter ekstrasportiv antizraelit, kësaj shfaqjeje, ngushtësisht sportive, në origjinë? Faktorë të brendshëm, faktorë të jashtëm? Pse duhet pasur shqetësim, në Kosovë?
Është krejtësisht e qartë, se Serbia është faktori më i rëndësishëm rajonal që ka interes për një gjest, akt, mesazh, grup mesazhesh kundër Izraelit. Kësisoj botërisht, Kosova do krijonte antipati në Izrael dhe në Perëndim, të dy aktorët që janë në themel të shpëtimit të Kosovës nga genocidi dhe pavarësimit të saj. Serbia, që ka marrëdhënie të shkëlqyera qoftë me Izraelin, qoftë me arabët dhe palestinezët posaçërisht, nuk ja lejon vetes për asnjë arsye, të jetë bartëse mesazhesh a aktesh të tilla, me protesta a forma të tjera, ndonëse udhëhequr nga një qeverisje e majtë, antiperëndimore… Ama do të ishte e lumtur që, Kosova t’i bënte, për më shumë, në një periudhë kur marrëdhëniet e Kosovës me perëndimin, nuk janë më si më parë. Posaçërisht kur dialogu me Kosovën, krijon ndarje dhe rreshtime globale.
Brenda Kosovës, ka faktorë jo shtetërorë, jo legalë që gjithashtu mund të kenë interes, të krijojnë provokime të intensitetit të ndryshëm kundër Izraelit. Komuniteti mysliman, hoxhallarë dhe mendimtarë të caktuar, me ushqim teorik dhe financiar nga vendet e Islamit radikal, jo vetëm në rrjete sociale po kultivojnë padurueshmërinë ndaj Izraelit, që sulmon vëllezërit myslimanë dhe kryen genocid ndaj tyre. Argumente ka sa të duash, për të nxitur fushata genuine, por në një mjedis kolektiv padurueshmërie ndaj Izraelit, ka boll hapësirë për narrativa të induktuara prej lojtarësh të Serbisë, apo fuqish të tjera. Segmente të paralizuara të ish-luftëtarëve të riatdhesuar të ISIS-it, të radikalizuar dikur, mund të tentojnë të krijojnë dukshmëri publike dhe me mjete ideore afishimi.
E po në një situatë si kjo, globale dhe rajonale, në një mjedis social, plot padituri të një rendi të caktuar për punët e Kosovës, rajonit dhe botës, është shumë e lehtë të ndezësh a të provokosh akte të veçanta, ndërsa koret ndërkaq janë të pamundur për t’u ndaluar… Shou antiizraelit ka kësisoj, gjasë të lartë për t’u verifikuar gjatë ndeshjes. Dhe ndërsa përfituesit janë të sigurt, nxitësit, domethënë baballarët e këtyre akteve janë të shumtë: të identifikueshëm dhe jo të identifikueshëm. Në mënyrë përmbledhëse, një debat publik i një shoqërie të re si ajo e Kosovës, dominuar nga frymëzim i majtë, antiglobalist, antiperëndimor, universalist musliman dhe për pasojë, mosmirënjohës ndaj atyre që ishin baballarët realë të pavarësisë së Kosovës është shtrati më i mirë ku të krijohen tifozë të… Palestinës… Protestat ndaj Izraelit janë legjitime kudo ku ndodhin, por radha e temave për të protestuar, në Kosovë është shumë e gjatë. Kosova ka boll punë, tema dhe axhenda për të përparuar dhe për t’u emancipuar si shoqëri. Kush vendos antiebraizmin në rend të parë të protestave edhe në një ndeshje futbolli, duke e veshur me motive humanitare – krejt legjitime, ndërsa Izraeli po reagon egërsisht ndaj popullsisë civile palestineze – gabon. Po cenon megjithatë, interesin shtetëror, por dhe atë kombëtar të shqiptarëve. Për më shumë, kur dihet se kush fërkon duart…