MENU
klinika

3.3 mln lekët e konfiskuara, i kalojnë shtetit

Dënimi me 4 vite burg i ish-sekretares së Ministrisë së Shëndetësisë, zbardhet vendimi i GJJKKO

14.11.2023 - 10:42

Është zbardhur vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuarsë për dënimin me 4 vite burg të ish-sekretares së Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, e cila mori ryshfet për tenderin dhe tre të akuzuarve të tjerë.

Në përfundim të seancës së hënës (13 nëntor), ish-zyrtarja e MSH-së u dënua me 4 vite heqje lirie për ryfshetin 330 000 mijë lekë të reja, por përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi iu ul me 1/3, duke u dënuar përfundimisht me 2.8 vite burg.

Joana Durro u shpall fajtore për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” .

Gjithashtu iu është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Dënimet e 3 të pandehurve të tjerë:

Laura Sheto u deklarua fajtore për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, dhe u dënua me 1 vit burgim. Ajo përfitoi nga gjykimi i shkurtuar duke e dënuar me 8 muaj burgim.
Vladimir Topi u deklarua fajtor për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, dhe u dënua me 1 vit burgim. Ajo përfitoi nga gjykimi i shkurtuar duke e dënuar me 8 muaj burgim.
Silvi Shehi u deklarua fajtor për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, dhe u dënua me 1 vit burgim. Ajo përfitoi nga gjykimi i shkurtuar duke e dënuar me 8 muaj burgim.
Në përfundim të Gjykimit, GJKKO vendosi që 1 celular i markës Samsung të mbetet pjesë e fashikullit të gjykimit, për efekt të procedimit penal të ndarë.

Ndërsa shuma monetare në vlerën 330,000 lekë, që iu konfiskua Joana Duros, të kalojë në favor të shtetit.

NJOFTIM PËR MEDIAT

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurve L.Sh, V.T dhe S.Sh akuzuar për figurën e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245 e 25 i Kodit Penal, si dhe në ngarkim të të pandehurës J.D akuzuar për figurën e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvilluar me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj, bazuar në nenet 112, 190, 390 dhe 406 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 75, datë 13.11.2023 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurës D, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 4 (katër) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurën D me 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurën D për 5 (pesë) vjet.
Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurën D do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit të saj dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.
Deklarimin fajtor të të pandehurës Sh, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245 e 25 të Kodit Penal dhe dënimin e saj me 1 (një) vit burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurën Sh me 8 (tetë) muaj burgim.
Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurën Sh do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit të saj dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.
Deklarimin fajtor të të pandehurit T, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245 e 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin T me 8 (tetë) muaj burgim.
Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin T do të fillojë të llogaritet nga dita e ndalimit të tij dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Sh, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245 e 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Sh me 8 (tetë) muaj burgim.
Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin Sh do të fillojë të llogaritet nga dita e ndalimit të tij dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.
Lidhur me provat materiale, sipas akteve që ndodhen në fashikullin e gjykimit, në respektim të nenit 36 të Kodit Penal dhe 190 të Kodit të Procedurës Penale:
1 (një) celular i markës Samsung “Note 20 Ultra” me nr. IMEI (slot 1) ************ dhe nr. IMEI (slot 2) *************, të mbetet pjesë e fashikullit të gjykimit, për efekt të procedimit penal të ndarë.
Shuma monetare në vlerën 330, 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë, të konfiskuara të pandehurësD, të kalojë në favor të shtetit.
Shpenzimet proceduriale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak, seancës paraprake dhe gjatë gjykimit, i’u ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.
Kundër vendimit lejohet apel brenda afatit ligjor, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
HETIMET E SPAK

Nga aktet e administruara ka rezultuar se e pandehura Joana Duro, me funksionin e lartë shtetëror, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka përfituar në mënyrë të parregullt vlerën monetare prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë) mijë lekë për të favorizuar shoqërinë “Dricons” sh.p.k, e cila ka fituar fazën e parë të tenderit të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për LOT 1,”Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në Qarqet Tiranë dhe Durrës, me fond limit 805.872 lekë”.

Nga hetimi me metoda speciale është dokumentuar fakti i dërgimit të shumës së parave prej 330 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë nga ana e të pandehurës Laura Shteto tek e pandehura Joana Duro, kjo e fundit me detyrë Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Kjo shumë parash i është dorëzuar të pandehurës Joana Duro në zyrën e saj në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku dhe është bërë kapja në flagrancë e saj dhe sekuestrimi i kësaj shume monetare.

Nga hetimi ka rezultuar e provuar se se kjo shumë parash është dhënë si përfitim i parregullt nga i pandehuri Vladimir Topi, me detyrë administrator i operatorit ekonomik “Dricons” sh.p.k, i cili ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Gjithashtu, rezulton se i pandehuri Silvi Shehi, me detyrë inxhinier pranë operatorit ekonomik “Dricons” sh.p.k, pas komunikimit me administratorin e kësaj shoqërie, të pandehurin Vladimir Topi, ka marrë shumën e parave prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë ) lekë nga i pandehuri Vladimir Topi dhe ja ka dërguar të pandehurës Laura Shteto, e cila më pas i ka dërguar tek Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Joana Duro, kjo e fundit e kapur në flagrancë me shumën e vlerës monetare të përfituar në mënyrë të parregullt. Hetimet në lidhje me procedimin penal të ndarë vazhdojnë për fakte penale të tjera.

SKEMA E KORRUPSIONIT

Vladimir Topi dhe inxhinierin Silvi Shehi dyshohet se janë personat që ndërhynë duke i dhënë Joana Duros, 330 mijë lekë ryshfet që ajo të ndikonte për t’i shpallur fitues në tenderin për rikonstruktimin e qendrave shëndetësore. Fituesi i tenderit me fond limit 805 mijë lekë është shpallur në 1 qershor, ndërsa SPAK ka ndërhyrë në datën 2 qershor teksa u dha ryshfeti.

Prokuroria e Posaçme thotë se pas hetimeve, rezulton se ka qenë Vladimir Topi, i cili i ka dhënë Duros 330 mijë lekët që ta favorizonte në tenderin e hapur nga Ministria e Shëndetësisë. Sa i takon, inxhinierit të kompanisë, Silvi Shehi, ai ka marrë shumën prej 330 mijë lekë dhe ia ka dërguar Laura Shtetos, specialiste e Nivelit të Lartë në Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara.

Shteto dhe inxhinieri i kompanisë ‘DRICONS’ kanë bërë lidhjen mes sekretares së Shëndetësisë dhe administratorit Vladimir Topi. Shteto pasi ka marrë lekët nga inxhinieri i kompanisë “DRICONS”, ia ka dërguar sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë.