MENU
klinika

Pensionet

Do ketë një indeksim të dytë brenda këtij viti?

15.11.2023 - 13:16

Megjithëse përqindja e indeksimit të pensioneve, duke filluar nga 1 Tetori 2023, ishte 8.3 % , edhe pse inflacioni vjetor për Shtatorin ishte 4.1 % dhe në Tetor 3.8 % nga shumëkush, sidomos për pensionet e vogla e të mesme, kjo konsiderohet e pamjaftueshme. Dhe me të drejtë.

Arsyet janë të ndryshme. Kjo lidhet midis të tjerash me faktin se prej vitesh, të paktën që me reformën e vitit 2015, ka patur vetëm indeksim të pensioneve dhe jo rritje të pensioneve. Kufizimi në indeksimin e pensioneve ka ndodhur pavarësisht nga rritja reale e PBB-së për disa vite, ndërsa sivjet pretendohet për një rritje më të lartë se sa ajo e parashikuar. Por prej kësaj rritje të prodhimit të brendshëm bruto, mund të përfitojë shumëkush por jo pensionistët!?

Ndërkohë ekonomia e tregut ose ekonomia kapitaliste në fushën e pensioneve i ka shfaqur tërësisht tiparet e saj të plota, ku rritja e pabarazisë dhe thellimi i saj shoqërohet edhe me varfëri të egër..

Në rastin më të mirë pensionistët duhet të presin zbulimin e puseve të naftës “Urojmë që zbulimi i Shpiragut të funksionojë dhe atëherë sigurisht që nga ai zbulim, të parët që do përfitojnë do jenë pensionistët”- ka deklaruar gjatë verës Kryeministri ynë .

Ndërsa zv. Kryeministrja do të deklaronte në Dibër në mes të Prillit: “Rreth 650 mijë pensionistë do të marrin një tjetër bonus në vlerën e 5 mijë lekëve në shtator: Të gjithë ata që e kanë marrë pensionin besoj që e dini që keni marrë 5 mijë lekë shtesë që kanë ardhur nga taksa e jashtëzakonshme. Dhe do merrni këstin e dytë, pasi kësti i dytë i kësaj takse që ka të njëjtën vlerë, e kemi ndarë në dy pjesë, gjatë vitit për gjashtë mujorin e parë në fund të marsin dhe më pas në shtator. Në shtator përveç indeksimit që do të ndodhë për shkak të inflacionit në pensionin tuaj do të merrni edhe pjesën tjetër të bonusit, edhe një 5 mijë lekësh tjetër shtesë që vjen sërish nga pjesa e dytë e taksimit të jashtëzakonshëm.

Është në politikën tonë, është në programin tonë që të kujdesemi për ju, pasi ju keni kontribuar për zhvillimin e Shqipërisë, por nga ana tjetër e keni kaluar jetën tuaj në kohët më të vështira. Në kohët më të vështira përsa i përket regjimit përpara demokracisë, por nga ana tjetër edhe në periudhën e tranzicionit që nuk ka qenë një periudhë e lehtë për askënd. Kështu që kujdesi është maksimal për të gjithë pensionistët. Vëmendja e Qeverisë Shqiptare është tek ju. Unë e di që ne duhet të bëjmë më shumë dhe ne do të bëjmë më shumë, por në të vërtetë unë ndihem krenare që të ardhurat nga taksa e jashtëzakonshme e energjisë dhe e gjithë përpjekja që ne kemi bërë si Ministri e Infrastrukturës dhe Energjisë u vendos që të shkonin tek ju” Si dihet, bonusi i dytë i taksës së jashtëzakonshme nuk është dhënë.

Ndërkohë kur Ministrii i ri i Financave dhe Ekonomisë parashtroi në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave Aktin Normativ për ndryshimin e Buxhetit të vitit 2023, sipas të cilit ka një shtesë prej 7.5 miliardë lekë e të ardhurave të buxhetit shoqëruar me rishpërndarjen e 45.8 miliardë lekëve mes zërave të shpenzimeve buxhetore, korrente e kapitale, nga deputetë iu shtrua pyetja :”… një problem tjetër që ne kemi ngritur, ka qenë inflacioni rritja e çmimeve sidomos të shportës bazë dhe kjo nuk është reflektuar në një paketë sociale tek ky Akt Normativ që ju kini sjellë për ta miratuar.

Ne kemi bërë një propozim për një minimum jetik duke marrë parasysh rritjen e çmimeve të shportës bazë. Madje më vjen shumë keq që ende në kalendarin e punës nuk është futur projekt propozimi…Unë do doja më shumë një mendim tuajin nëse dhe ju mund ta sillni më shpejt minimumin jetik…Ju kini grumbulluar më shumë të ardhura nga sigurimet shoqërore që nuk janë reflektuar në një rritje të ndjeshme të pensioneve të kategorive të ndryshme, nuk po marr këtu kategoritë e larta…Përse në këtë Akt Normativ nuk është përfshirë kësti i dytë i të ardhurave nga kompanitë energjetike? E kini hequr këtë si këst, nuk e kini parashikuar që të jetë pjesë e saj apo jo?

Ai i përgjigjet : “Për sa i përket paketës sociale, që ju përmendët sjell në vëmendjen tuaj që ka pasur dy indeksime domethënëse të pensioneve, vitin e kaluar edhe këtë vit, ku ne kemi pasur një nivel të pazakontë inflacioni. Në total shuma e alokuar për indeksimin e pensioneve i kalon 20 miliard lekë, dhe në se do përfshihet dhe ajo që projektohet për vitin tjetër do të shkojë mbi 25 miliard lekë, të cilat në një hark le të themi dy vjecar kanë shkuar mbi 250 milion dollarë kanë shkuar për indeksimin e pensioneve…etj Ndjesë në se më ka shpëtur ndonjë pyetje.”

Nuk është e vështirë të shihet se përgjigja është e tipit, se ndërsa pyetet për ndërzimin artificial,(një pyetje konkrete) përgjigja hidhet në lufta në Vietnam, jepet një përgjigje obshij …duke iu shmangur pyetjeve të drejtpërdrejta se si është përballuar rritja e inflacionit, posaçërisht shporta bazë e pensionistëve dhe minimumit jetik apo kësti i dytë i premtuar.

Kjo ndodh kur megjithëse në nenin Neni 88 të Ligjit për Sigurimet Shoqërore thuhet qartë: “Me kontributet e derdhura garantohet pagesa në para për të kompensuar pakësimin e të ardhurave në një shumë që mbulon të paktën një standard minimal jetese, i cili përcaktohet nga Këshilli i Ministrave. Kur standardi minimal i jetesës nuk arrihet nga pensioni, për pensionistët me datë fillimi deri më 31.12.2014, Këshilli i Ministrave ka të drejtë të vendosë një shtesë të ardhurash në formë kompensimi të plotë”.

Organet ekzekutive, si Qeveria dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, duhet tu japin sqarimet dhe përgjigjet përkatëse, deputetëve por edhe mbarë opinionit publik se sa është standardi minimal i jetës në tërësi dhe i pensionistëve në veçanti pas rritjes jo të zakonshme të çmimeve të mallrave të konsumit dhe veçanërisht ushqimeve, këto dy vitet e fundit?! Kjo është një kërkesë ligjore dhe këto institucione nuk duhet të anashkalojnë ligjin apo qoftë dhe tu shmangen pyetjeve të deputetëve. Çfarë mund të thonë këta të fundit kur shkojnë në elektorat, shqetësimet tuaja i kemi ngritur në Kuvend, por në vend të përgjigjeve të pyetjeve të drejtpërdrejta kemi marrë: Ndjesë në se më ka shpëtur ndonjë pyetje…

Natyrisht një qëndrim i tillë refraktar i mazhorancës nuk justifikon, flakadanët dhe kariket e përmbysura së sallën e Kuvendit apo hyrjen e deputetëve nga dritarja. Ndërkohë në të ashtuquajturën shumë e alokuar për sigurimet shoqërore prej 20 miliard në dy vjet duhet patur parasysh se shtesa në vitin 2022 ishte 15 miliard, dhe ndërkohë në to, përfshihet a) ajo pjesë fondi që shkon për mbulimin e shtesës së pensionistëve të rinj të cilët shtohen me 3% në vit, b)mbulimin e efekteve financiare të skemave të reja të përfitimeve dhe c) ajo pjesë për mbulimin e rritjes të nivelit të përfitimeve të pensionistëve sipas rritjes së indeksit të çmimeve të mallrave të konsumit dhe të shërbimeve, të përcaktuar në shportën e pensionistëve.

Pyetja ishte e drejtpërdrejtë sa inflacioni, rritja e çmimeve sidomos të shportës bazë është reflektuar tek një paketë sociale për pensionistët? Të mos harrohet se inflacioni mesatar vjetor i parashikuar në relacionin e buxhetit për vitin 2023, vetëm prej 3,6%

Por le t’i kthehemi indeksimit të pensioneve që është një detyrim ligjor.

LIGJI Nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, lidhur me indeksimin parashikon në Nenin 61: “Indeksimi i përfitimeve.”

Pensioni social, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit, familjare, si edhe të ardhurat nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve.

Këshilli i Ministrave cakton listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit.”

Për një realizim sa më korrekt të këtyre kërkesave ligjore më 22.2.2017, ka dalë VKM Nr. 131 PËR PËRCAKTIMIN E LISTËS SË MALLRAVE TË ZGJEDHURA DHE METODËN E LLOGARITJES SË INDEKSIT. Sipas këtij vendimi për pensionistët pesha e grupmallrave, ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, përbën 58.8 % të shportës të “grupmallrat dhe shërbimet e përzgjedhura për llogaritjen e indeksit të ndryshimit mesatar vjetor të çmimeve të mallrave të konsumit për pensionistët” ato për Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji, përbëjnë 12.5 % , për Shëndetin 5.5 % të shportës etj.

Por nëse VKM në fjalë, është mbështetur në ndryshimit mesatar vjetor të çmimeve të mallrave të konsumit dhe shërbimeve për pensionistët, bazuar në rezultatet e Anketës së Buxhetit të Familjes të vitit 2014, të realizuar nga Instituti i Statistikave, pra në vitin 2014, që nga ajo kohë deri tani të bien në sy se rritja e çmimeve të mallrave të konsumit në tërësi që nga ai vit deri në Tetor 2023 ka qenë 26.9 %, ndërsa ai i grupit të Ushqime dhe pije joalkoolike ka qenë 52.2 % ose sa dyfishi i tyre..

Në këto kushte mund të thuhet se ky vendimi i Këshillit të Ministrave nuk i përgjigjet realitetit dhe duhet ndryshuar. Ai ndikon drejtpërdrejt në një moskompensim të plotë të duhur të pensionistëve. Për këtë flet edhe fakti se, ndryshimi mesatar vjetor i çmimeve të mallrave të konsumit gjatë 10 mujorit Janar-Tetor 2023, ishte 4.9 % ai për grupmallrat e shportës së pensionistëve në tërësi ishte 7 %, kurse për grupin Ushqime dhe pije joalkoolike 10 %,

Për rrjedhojë pensionistët dhe sidomos ata me pension të ulët e ndjejnë drejtpërdrejt efektin e rritjes të çmimeve në tërësi, të inflacionit mesatar dhe sidomos atyre Ushqime dhe pije joalkoolike, në veçanti. Rishikimi i këtij vendimi të Këshillit të Ministrave s’ka përse të presë reformën e ardhshme të pensioneve. Ai duhet realizuar e publikuar sa më shpejt.

Indeksimi i çmimeve të mallrave të konsumit për pensionistët është i paplotë, është i pjesshëm përkundrejt rritjes së çmimeve. Për këtë flet fakti se inflacioni mesatar vjetor për çdo muaj gjatë 10 muajve të parë ka qënë 7% dhe për gjithë muajt e vitit 2023 pritet të jetë mbi 6.5 %. Me indeksimin prej 8.6% në tre muaj do të thotë që i bie në indeksim vjetor mesatarisht 2.15 % që duke mbajtur parasysh dhe bonusin e Prillit 2023, është më pak se sa gjysma e inflacionit të llogaritur në bazë të shportës së mallrave për pensionistët. Më lart pamë se inflacioni mesatar për vitin 2023 ishte parashikuar 3.6% pra mjaft me pak se sa është realizuar deri tani dhe sa pritet të realizohet deri në fund të vitit 2023

Ndryshe nga praktika e vitit të kaluar por dhe viteve të mëparshme, indeksimi i pensioneve është shtyrë padrejtësisht vetëm për tremujorin e fundit të vitit, kur në vitet e tjera bëhej që më 1 Prill . Në kushtet kur niveli i inflacionit ishte shumë i lartë vitin e kaluar krahas indeksimit në 1 Prill lindi i nevojshëm dhe u bë dhe indeksimi i dytë më 1 Tetor 2022.

Krahas tyre, dhe përveç bonusit të vitit të ri u dhanë dhe dy bonuse të tjera, një për muajt Prill Maj Qershor, për të kompesuar rritjen e lartë të cmimeve, sidomos për pensionistët me të ardhura të ulta ose të vetëm, dhe një tjetër që u quajt pakoja e madhe antiinflacion prej 8000 lek për të gjithë pensionistët në fund të Dhjetorit 2022. Vetëm në këtë mënyrë u bë i mundur të bëhej indeksimi dhe kompesimi i inflacionit mesatar mujor për shportën e pensionistëve prej 8.3 % nga 6.7 % që ishte inflacioni mesatar mujor për vitin 2022.

Praktika e vitit të kaluar me nivel të lartë të inflacionit sugjeron dhe kërkon që indeksimi të bëhet më shumë se njëherë në vit në se ka ngritje të madhe çmimesh. Edhe këtë vit është e nevojshme të zbatohet praktika e vitit të kaluar, pamvarësisht se vitin e ardhshëm nuk ka zgjedhje. Kompesimi i rritjes të çmimeve të shportës së pensionistëve le të bëhet me një bonus të dytë përveç atij të zakonshëm të fund vitit, që të mundësojë kompesimin e rritjes së çmimeve për ta që nuk ka mundur ta bëjë indeksimi i filluar në Tetor dhe bonusi i Prillit 2023.

Ekonomiksi dhe teoria ekonomike na mëson se për të patur një pamje më të qartë të plotë të dukurive ekonomike, nuk mjafton të shihet vetëm rrjedha -flow, në një moment në një njësi të dhënë të kohës, në rastin tonë muaji, por edhe gjendja -stokut që shpreh sasinë e matur në një periudhë të dhënë, pra sa është inflacioni mesatar mujor i gjithë vitit. Kjo duket qartë në figurën Nr 1, kur rrjedha nga çezma na tregon flow-un , ndërsa sasia e ujit në banjë shprehet gjendjen e stokut.

Realizimi i indeksimit të plotë të rritjes të çmimeve mesatarisht për çdo muaj të vitit për vitin 2023, teorikisht dhe organizativisht mund të bëhet i mundur a) nga pjesëmarrja në Këshillin administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore të përfaqësuesit të Institutit të Statistikave dhe 3 anëtarë që caktohen nga sindikatat më të përfaqësuara, si dhe b) publikimi i vendimmarrjes të tyre.

Natyrisht ka rëndësi, si qëndrimi konkret i tyre se sa këta përfaqësues të pensionistëve dhe interesave publike, janë në mbrojtje të interesave të pensionistëve, ashtu dhe funksionimi demokratik i pavarur i këtij Këshilli Administrativ. Disa vite me parë kur niveli i inflacionit ishte minimal, shpesh here mbledhja e Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore bëhej e hapur për publikun.

Jo më pak rëndësi ka që INSTAT, të publikojë ecurinë në vazhdimësi jo vetëm të pensionit nominal por dhe të pensionit real se si ka ecur ai gjatë vitit 2023. Nga sa më sipër dhe fakti që niveli i inflacionit mesatar në tërësi dhe ai për shportën bazë të pensionistëve është më i lartë rezulton qartë se në kushtet kur indeksimi, rritja e pensionit u bë vetëm për tremujorin e katërt të këtij viti. Nuk është bërë e mundur të realizohet as indeksim-kompensimi i plotë i pensioneve nga efekti i inflacionit për vitin 2023. Kjo kërkon që duke mbajtur parasysh eksperiencën e vitit të kaluar në muajin Dhjetor 2022, të bëhen rillogaritjet dhe të jepet bonusi përkatës për pensionistët sidomos për ata me pension të ulët e mesatar.

Fakti që në buxhetin e vitit 2023, duke parashikuar një nivel inflacioni mjaft më të ulët se sa ai aktual,ose mesatarisht 3.6 % dhe mbi bazën e tij, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka parashikuar më pak fonde se sa nevojiten realisht për indeksimin e pensioneve, nuk është arsye që ky indeksim të mos realizohet i plotë. Kërkohet thjesht dhe vetëm zbatimi i ligjit. Mazhoranca duhet të demostrojë karakterin konstruktiv demokratik si shëmbëlltyrë e zbatimit të ligjit. /Nga Koço Broka

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!