Artan Hoxha ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” ku foli për hetimet e SPAK ndaj ish ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të cilat erdhën vetëm pas këmbënguljes së gjykatësit, që i kërkoi prokurorit të verifikojë edhe rolin e Beqajt.
Ish ministri nuk ishte përfshirë në masat e para të sigurisë të kërkuara nga SPAK.
“Përgjegjësia e zotit Beqaj, është fakti që ai si drejtues i Ministrisë së Shëndetësisë, vartësi i tij, ish zv.ministri, ka ndikuar që ky koncesion të merrej nga kompania e Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian.
Në fazën e parë të hetimit edhe pse zoti Beqaj sot e tha, që ky hetim ka tetë vjet, përfshirja e zotit Beqaj u bë vetëm pasi gjyqtari Erion Bani, në një rast të paprecedent deri tani, i kërkoi prokurorisë, që ndryshe nga masat e sigurisë që kishte kërkuar, të shikonte edhe pozicionin e zotit Ilir Beqaj. Kjo bëri që prokuroria të rishikonte vendimin e vet dhe të kërkonte masë të re sigurie, duke e penguar Ilir Beqajn që të largohet nga territori i Shqipërisë. Po ashtu e ka detyruar që çdo ditë të premte, të paraqitet pranë oficerit të policisë gjyqësore.
Ilir Beqja deri tani dyshohet për shpërdorim detyre. Nga aty dhe mbrapa do të shohim si do të vijnë procedurat.
Është hetim që ka zgjatur shumë dhe mesa duket, çështja ka arritur këtu vetëm për shkak të një presioni që i është bërë në lidhje me këtë situatë.
Zoti Beqaj tha që ai nuk është dakord me këtë masë, por nuk do ta apelojë. Por, ai tha se ky është një qëndrim politik”, deklaroi Hoxha.