Plani i qeverisë italiane për të ndërtuar qendra emigrantësh në Shqipëri, nuk mund të krahasohet me planin e Britanisë për të dërguar azilkërkues të parregullt në Ruandë, tha të martën ministri i Jashtëm Italian Antonio Tajani. Ai shtoi gjithashtu se në trajtimin e kësaj çështjeje, vendi i tij do të mbronte plotësisht të drejtat e refugjatëve.
Plani u njoftua në fillim të këtij muaji, nga qeveria e krahut të djathtë e kryeministres Giorgia Meloni. Ai shihet si një përpjekje për të penguar largimet në rritje të emigrantëve nga Afrika dhe për të lehtësuar presionin mbi qendrat në të gjithë vendin.
Italia do të ndërtojë dy qendra pritjeje në Shqipëri, të cilat do të strehojnë një maksimum prej 3,000 imigrantësh. Kjo shënon rastin e parë që një vend jo anëtar i BE-së bie dakord të pranojë emigrantë në emër të një vendi anëtar.
Në vitin 2016, BE-ja arriti një marrëveshje me Turqinë për të parandaluar imigrantët e paligjshëm që të udhëtonin drejt vendeve të bllokut.
“Emigrantët do të trajtohen sipas standardeve italiane dhe evropiane“, tha Ministri i Jashtëm Antonio Tajani në një seancë të dhomës së ulët të parlamentit që trajtoi këtë çështje. Marrëveshja ka ngjallur kritika nga ana e opozitës së majtë italiane dhe grupeve që mbrojnë të drejtat e njeriut. Po kështu ekspertë të çështjeve të sigurisë dhe veprimtarë të çështjeve të migracionit në Shqipëri kanë shprehur skepticizëm dhe paqartësitë mbi zbatimin praktik të marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për të mbajtur mijëra migrantë në territorin shqiptar.
“Marrëveshja e (Italisë) nuk është e krahasueshme me marrëveshjen mes Britanisë dhe Ruandës“, tha zoti Tajani duke iu referuar paktit britanik që është hedhur poshtë nga Gjykata e Lartë e këtij vendi, e cila e ka konsideruar atë si të paligjshëm.
Zoti Tajani u tha ligjvënësve se vetëm imigrantët që kapeshin në ujërat ndërkombëtare dhe që nuk kishin të drejtë të qëndrojnë në Itali do të shkonin në Shqipëri. Ai shtoi se atje nuk do të strehohen fëmijë apo gra shtatzëna. Po kështu zoti Tajani tha se ata që ndodhen në proces riatdhesimi, mund të mbaheshin deri në 18 muaj.
Sipas agjencisë Reuters në marrëveshje thuhet se kampet do të funksionojnë nën juridiksionin italian dhe duhet të hapen në pranverën e vitit 2024.
Ministri Tajani u tha ligjvënësve se Italia do të përballonte të gjitha kostot, përfshirë ato që lidhen me ndërtimin dhe kontrollin e këtyre qendrave si dhe do të paguante 16.5 milionë euro ose 18.00 milionë dollarë, në shpenzime fillestare.
Ligjvënësit e opozitës i kanë kërkuar zonjës Meloni që të kërkojë miratim nga parlamenti të marrëveshjes së negociuar me homologun e saj shqiptar Edi Rama. Por zyrtarët qeveritarë kanë thënë më parë se ligji italian nuk ka ndonjë parashikim strikt mbi këtë çështje.
Megjithatë, zoti Tajani, pasardhësi i ish-kryeministrit Silvio Berlusconi në krye të partisë së koalicionit Forza Italia, tha se administrata do të paraqiste një projektligj për të ratifikuar zyrtarisht paktin me Shqipërinë.
“Ne shpresojmë të miratohet bazuar në një kornizë kohore që është në përputhje me urgjencën e menaxhimit të flukseve në rritje të immigrantëve“, tha ai.
Këtë vit deri më tani në brigjet italiane kanë mbërritur rreth 150 mijë imigrantë, një shifër më e lartë krahasuar me rreth 94 mijë që u shënuan në të njëjtën periudhë të vitit 2022.