MENU
klinika

Ndryshon paketa fiskale

Prej 1 Janarit taks për profesionet e lira

22.11.2023 - 17:37

Hiqet TVSH për importin e bletëve dhe të mëshqerrave

Prej 1 Janarit të vitit të ardhshëm hyjnë në fuqi një sërë ndryshimesh të parashikuara në paketën fiskale të propozuar nga qeveria. Një prej tyre është ndryshimi i ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” ku të vetëpunësuarit e profesioneve të lira nuk do të trajtohem më si biznes i vogël me 0%, por fitimi do të taksohet nga 15% – 23%.

Qeveria ka parashikuar edhe një sërë lehtësirash për sektorë të veçantë të ekonomisë. Kështu është vendosur të hiqet TVSH-ja për importin e mëshqerrave dhe bletëve për të nxitur më tej zhvillimin e blegtorisë në vend, sektor që po njeh probleme vitet e fundit për shkak të rënies së numrit të krerëve bagëtive. Kjo masë përllogaritet t’i heqë arkës së shtetit rreth 155 milionë Lekë.

Gjithashtu është parashikuar që për të zbutur efektet e inflacionit për konsumatorët do të ketë një tavan prej 1.5% në rritjen 2-vjeçare të akcizave.

Ndërsa në ligjin “Për taksat kombëtare” është parashikuar një rritje e taksës së karbonit për qymyrin. Kufiri minimal i taksës së karbonit mbi qymyrin duhet të jetë të paktën 15.3 Lekë/kg, nga 3 Lekë që është aktualisht.

Pas miratimit në parim në Kuvend, buxheti dhe ndryshimet për paketën fiskale të vitit të ardhshëm janë rikthyer për diskutime nen për nen në komisionet parlamentare, mbledhjet e të cilëve vijojnë të zhvillohen online për shkak të përplasjeve të opozitës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Arsyet e shtrenjtimit/ Kush po blen?

Nuk ndalet rritja e çmimeve të apartamenteve