Sinoptikania Lajda Porja nga “MeteoAlb” ka folur për Klan News sa i takon parashikimit të motit për ditën e sotme dhe përgjatë javës që vjen.
Sipas saj, temperaturat do rriten ndjeshëm pas ditës së Martë.
“Mbeten prezente reshjet të Dielën dhe të Hënën, por në sasi krejtësisht të pakta për shkak se temperaturat zbresin në -6 në zonat verilindore, -4, -5 në juglindje të vendit. Zbresin temperaturat në disa qarqe si Berati, Shkodra do të shënojë 0 apo 1 gradë, 2 gradë kryeqyteti, parashikohet që rreth vlerës 2, 3 gradë do të jenë vetëm vija bregdetare dhe maksimalet do të jenë relativisht shumë të ulëta. Kemi një situatë krejt kalimtare. Do të jetë dita e Martë që do të sjellë një rritje të ndjeshme të temperaturave dhe rikthim të reshjeve të shiut, rrebeshe në pjesën më të madhe të territorit shqiptar.”
Sinoptikania thekson se pas datës 29 Nëntor moti do të jetë njësoj si ai i vjeshtës.
“Të paktën nga data 28 që përkon dhe me festat do të jetë me reshje, rrebeshe dhe herë pas here stuhi ere. Data 29 do jetë më e qëndrueshme me reshje shumë më të pakta krahasuar me datën 28. Pra, na rikthehet shumë shpejt vjeshta.”