MENU
klinika

Përgjimet e 'Sky Ecc'

Azgan Haklaj: Erzen Breçani dora e djathtë e Berishës dhe Metës, ka inkriminuar politikën

27.11.2023 - 20:27

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Azgan Haklaj foli për zhvillimet e fundit politike në vend dhe arrestimin e një grupi kriminal falë përgjimeve Sky, të ish-zyrtarëve të policisë si Erzen Breçani apo Dedan Gjoni.

Haklaj tha se ky grup i rrezikshëm ka qenë shumë afër Sali Berishës dhe ka inkriminuar politikën duke u bërë një simbiozë krim-politikë. Ai shtoi se ish-drejtori Breçani ka qenë dora e djathtë e Sali Berishës dhe e majta e Ilir Metës.

“Synimi i trekëndëshit të Bermudës ka qenë për ta mbajtur peng Partinë Demokratike. Nga 2017 deri në 2022 ka qenë strukturuar kjo përpjekje me grupin e Charles McGonigal. E pohoi vetë në Gjykatë që kam lobuar kundër PD-së. Nëse keni dëgjuar zotin Berisha, Metën apo Kryemadhin thonë që ne e dininim që para zgjedhjeve që Basha nuk fiton. Por në fakt e kanë tradhtuar Bashën. Edhe nëse Basha bëhej kryeministër, Meta bëhej zv.kryeministër nëse merrte shumë vota LSI. Grupi më i rrezikshëm është grupi i arrestuar tani. Nëse i pari synonte asgjesimin e opozitës, ky i dyti ka realizuar, ka lidhur shtetin me mafien. Gërmizi dhe Breçani janë dy ish-oficerë të Policisë së Shtetit dhe Dedan Gjoni. Kanë patur një qëllim, kanë qenë mbështetja e zotit Berisha. Breçani ishte dora e djathtë e Berishës dhe e majta e Ilir Metës. Berisha e mohoi Erzenin, siç mohoi dhe Agron Nezën. Zoti Breçani ka një kompani të fuqishme të security, ka 3000 biznese të pajisur me kamera. A janë bashkë trekëndëshi i Bermudës?! A po kërkohet të bëhet hetim i policisë, i prokurorisë dhe politkanëve? Këtë kërkoi Basha. Doktrina Basha ka një platformë të veçantë strategjike, ekonomike”, tha Haklaj.

Berisha tha se Breçani është vetëm një simpatizant i Partisë Demokratike, që për Haklajn do të thotë se ish-kryeministri e shiti ish-drejtorin e tij, ashtu siç Putini shiti Prigozhinin.

“Berisha e mohoi zotin Breçani, nuk e njoh. Pastaj tha se është mbështetës i PD-së. Berisha e shiti Breçanin si Putini Prigozhini. Breçani, Mata, grup i strukturuar kriminal. Të gjitha konferenca kundër luftës ndaj krimit janë bërë tek hoteli i Matës, “Victoria”. A është krimi pushtues i shtetit? A janë në simbioz bashkë mafia me krimin”, tha ai.

Kurse për flakën në Parlament, Haklaj shton se ato skena të kujtojnë mesjetën e kohës së Giordano Brunos dhe Galileo Galileit, aq më tepër që zjarri iu vu karriges së Bashës. Për Haklajn ky ishte një kërcënim i Berishës ndaj Lulzim Bashës.

“Aksionet në parlament pengojnë hapjen e debatit të platformës së zotit Basha për reformën zgjedhore dhe vettingun e poltikanëve. Zjarri në tavolinën e zotit Basha, është zjarr në karrigen e opozitarizmit. Bëri kërcënim. Berisha na solli mendësinë e mesjetës, kundër udhëheqësit të opozitës zotit Basha”, tha Haklaj.