Sot (30 nëntor) në Jorgucat të Gjirokastrës është përcjellë në banesën e fundit, vajza e ish-nënkryetarit të Kuvendit dhe ish-deputetit, Vangjel Tavo.
Eva Tavo, vetëm 24 vjeç, humbi jetën tragjikisht më 28 nëntor në një aksident automobilistik në Maqedoninë e Veriut.
E reja ishte pasagjerë në një automjet tip ‘Audi’ që po udhëtonte nga Tetova drejt Shkupit.
Mjeti me targa shqiptare, drejtohej nga 40-vjeçari me inicialet V.M., doli nga autostrada “Nënë Tereza”, në fshatin Laskarci, në orën 14:00, dhe u përmbys.
Për pasojë vajza e Tavos humbi jetën në vend, ndërsa shoferi është dëmtuar rëndë dhe ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën.
Lajmin e rëndë për vdekjen e së bijës e ndau vetë Tavo përmes një postimi në Facebook.
“Këto janë fjalët më të vështira që shkruaj në jetën time. Vajza ime e madhe Eva u nda nga jeta në kulmin e rinisë, në moshën më të bukur, siç ishte edhe vetë ajo. Varrimi bëhet ditën e enjte, datë 30 nëntor, ora 11:00 në Jorgucat, Gjirokastër”, shkroi ai.
Ende nuk dihen rrethanat e aksidentit, ndërsa mësohet se ka nisur puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes.