Moti i përkeqësuar me erë të fortë ka sjellë pezullim të lundrimit detar në Vlorë.
Sipas kapitenerisë, lundrimet janë ndaluar për shkak të erës me drejtim Jug-Jug-Lindje,ndërsa deti në forcën deri 6-7bft me shpejtësi ere deri 15m/s, dhe lartësi dallge deri 2.50m brenda gjirit të Vlorës dhe jashtë gjirit të Vlorës në forcën deri 7-8bft me shpejtësi ere deri 30m/s dhe lartësi dallge nga 2.50 deri 3.50 metra.
Është ndaluar dhënia e leje -nisje për të gjitha mjetet e vogla lundruese, anijeve të peshkimit që operojnë jashtë gjirit të Vlorës dhe janë njoftuar për marrjen e masave për sigurimin e tyre.
Drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që operojnë brenda gjirit të Vlorës të kenë në konsideratë kushtet e tilla.
Sipas kapitenerisë janë njoftuar drejtuesit e anijeve të peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese për situatën e përkeqësuar dhe për marrjen e masave për sigurimin e mjeteve në vendet e akostuara dhe parandalimin e ngjarjeve dhe situatave gjatë datave 1 dhe 2 dhjetor.
Po kështu anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjere dhe automjete në datat 01.12.2023 nuk do të operojnë deri në përmirësimin e kushteve hidrometeorologjike të përkeqësuara.
Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 06:00 të datës 3 dhjetor.