MENU
klinika

Nga Der Spiegel

Të vdekurit pa emër të Evropës, Rruga Ballkanike që ndjekin emigrantët ilegalë

05.12.2023 - 12:36

Rruga Ballkanike është e gjatë mijëra kilometra. Në verën e vitit 2015, kur gjermanët i mirëpritën të ardhurit me krahë hapur, rruga ishte e drejtpërdrejtë përmes Evropës Juglindore. Shumica e azilkërkuesve mbërrinin në Greqi dhe Serbi nëpërmjet Turqisë.

Lajmi, të cilit i frikësohej Husam Bibars mbërriti në mbrëmjen e 24 shtatorit. Ai mësoi se djali i tij, Majdi, ishte zhdukur. Po ashtu ai zbuloi se refugjatët e tjerë sirianë me të cilin po udhëtonte djali i tij ishin detyruar ta braktisnin 27-vjeçarin, diku në një pyll në Bullgari.

Bibars, 53 vjeç, na rrëfen mbi atë çka ndodhi atë ditë nga një apartament i mobiluar në mënyrë modeste në qendër të Nakskov, një qytet i vogël në Danimarkën Jugore.

Udhëtimi i Majdit drejt Bashkimit Evropian nisi në veri të Turqisë. Vajza e tij Hanaa dhe bashkëshortja e tij shtatzënë Fatima qëndruan në Stamboll, thotë Bibars, teksa Majd mendonte t’i sillte në Evropë pak më vonë.

Në vitin 2015, kur babai dhe vëllai i tij më i madh shkuan në Danimarkë nga Turqia, Majdi sapo kishte mbushur moshën madhore. Dhe si i rritur, ai nuk mund të bënte dot bashkimin familjar me ta. Prandaj donte të shkonte atje përmes së ashtuquajturës Rruga Ballkanike.

Mbrëmjen e 24 shtatorit, Husam, ndjeu sikur bota rreth tij po shembej. Brenda pak orësh ai mundi të mësojë emrin e trafikantit, të cilit Majdi i kishte paguar 7000 euro. Trafikanti i tha të mos shqetësohej, duke thënë se djalin e kishte lënë në pyll pranë një liqeni, dhe se Majdi nuk mund të ecte më, për shkak të dhimbjeve të forta në stomak.

Por trafikanti shtoi se ai ishte vetëm 1 km larg nga rruga kryesore. Bibar e postoi foton e Majdit në grupet e tij në Facebook dhe WhatsApp. Më pas udhëzoi një avokat që të bënte kërkime në kampet dhe burgjet turke ku mbahen refugjatët. Mos ndoshta Majdin e kishin kthyer atje rojet kufitare?

Më pas dërgoi për ta kërkuar edhe ish-shefin e Majdit në punë. Bibars thotë se ai mezi arrinte të flinte gjatë atyre javëve. 22 ditë pas telefonatës mbi zhdukjen e të birit, Bibars vendosi të shkonte vetë në Bullgari. Edhe atëherë, ai dyshoi se mund të mos e shihte më kurrë djalin e tij.

Rruga Ballkanike është e gjatë mijëra kilometra. Në verën e vitit 2015, kur gjermanët i mirëpritën të ardhurit me krahë hapur, rruga ishte e drejtpërdrejtë përmes Evropës Juglindore. Shumica e azilkërkuesve mbërrinin në Greqi dhe Serbi nëpërmjet Turqisë.

Nga Budapesti i Hungarisë, ata udhëtuan me tren për në Mynih. Por vitet që pasuan, BE-ja ngriti gardhe me tela me gjemba dhe ndërtoi mure. Kur rojet kufitare i kapin emigrantët, shpeshherë ata i kthejnë mbrapsht në anën tjetër të kufirit. Përdorimi i forcës dhe instalimet kufitare e kanë ndryshuar Rrugën Ballkanike.

Tani ajo i ngjan një sistemi të ndërlikuar rrugësh sekrete. Shumë njerëz shpenzojnë muaj, apo edhe vite në përpjekje për ta përshkuar atë. Për shumë njerëz, aktualisht rruga nis shpesh në Bullgari, sepse azilkërkuesit duan të shmangin rojet kufitare greke, të cilët njihen si veçanërisht të ashpër.

Nga atje, rruga të çon përmes Serbisë ose Bosnjë-Hercegovinës deri në Kroaci. Muaj pas muaji, bllokohen disa shtigje ndërsa hapen të reja. Për ata që kërkojnë azil, rrugët në përgjithësi bëhen gjithnjë e më të gjatë dhe më të rrezikshme. Nuk ka të dhëna të sakta për numrin e emigrantëve që vdesin në Rrugën Ballkanike.

Megjithatë, dyshohet se numri i tyre është më i madh tani se në vitet e mëparshme. Gjashtë morgje përgjatë rrugës kanë regjistruar vetëm këtë vit 92 emigrantë të vdekur. Refugjatët vdesin në pyjet e largëta, mbyten nëpër lumenj të paparashikueshëm ose ngrijnë për vdekje në stuhitë e borës.

Por kush shqetësohet për atë që po ndodh? Dhe kush siguron që njerëz si Husum Bibars të kenë një mënyrë për të gjetur të dashurit e tyre dhe për t’i varrosur me dinjitet? Gazetarët e DER SPIEGEL kryen raportime të përbashkëta mbi Rrugën Ballkanike së bashku me organizatën investigative Lighthouse Reports, televizionin  ARD, radiostacionin RFEL/RL Sofia, gazetat britanike, portalin grek të lajmeve Solomon.

Ata biseduan me të afërm, aktivistë dhe prokurorë. Vizituan ekspertët e mjekësisë ligjore dhe hulumtuan varrezat. Hulumtimi tregon se armiqësia me të cilën përballen azilkërkuesit në kufijtë evropianë vazhdon edhe pas vdekjes së tyre. Vende si Bullgaria, Serbia apo Bosnja Hercegovina bëjnë pak përpjekje për të identifikuar të vdekurit.

Nuk ekziston asnjë bazë të dhënash dhe asnjë portal qendror ku mund të kërkojnë të afërmit. Të vdekurit dekompozohen në fusha, mbushin morgjet dhe varrosen në varre anonime, ndonjëherë brenda pak ditësh. Baballarë si Husam Bibars, nënat, vëllezërit dhe motrat e viktimave nuk e dinë shpeshherë se në cilin vend vdiqën të afërmit e tyre.

Qindra familje po kërkojnë të dashurit e tyre, por shumë prej tyre ndeshen me një mur burokracie, mosinteresimi dhe racizmi të hapur. Por ka njerëz që i ndihmojnë pa ndonjë interes dhe ata mbushin disi boshllëqet e lëna nga autoritetet evropiane. Husam Bibars është nga Alepo në veri të Sirisë, jo shumë larg kufirit me Turqinë.

Deri në shpërthimin e luftës civile në vitin 2011, ai drejtonte një kompani qilimash në periferi të qytetit, ndërkohë që zotëronte 4 makina dhe 20 punonjës. Pas luftës ai u detyrua të zhvendosej në Stamboll dhe t’i thurte vetë qilimat. Tani, në qytetin danez Nakskov thotë se nuk ndihet si në shtëpinë e tij pasi nuk njeh askënd.

Ai pagoi 700 euro për udhëtimin nga Kopenhaga në Sofje për të kërkuar djalin e tij. Ai shkoi në Bumantsi, një fshat pranë aeroportit të Sofjes. Më pas vizitoi një qendër refugjatësh. Por asnjë nga banorët nuk e njihte apo ta kishte parë Majdin. Shumë familje refugjatësh e dinë tashme se autoritetet rrallëherë i ndihmojnë.

Një morg në Burgas është veçanërisht i njohur. Katër refugjatë i thanë “Der Spiegel” se duhej të korruptonin punonjësit në mënyrë që të shikonin të vdekurit. Atë mbrëmje, Bibars u shtri zemërthyer në shtratin e dhomës së tij në hotel. Ai thotë se do të kishte marrë më shumë mbështetje nga autoritetet në Aleppo.

Por nuk dëshiron të mendojë se Majdi mund të ketë vdekur. Nuk mund të nisësh të vajtosh derisa të mësosh se familjari yt është gjallë apo jo. Në terma teknikë, kjo njihet si një “humbje e paqartë”. Pasiguria është tejet demoralizuese. Ajo i sëmur të afërmit madje i përçan familjet.

Në këto kushte, nga vendasit krijohen rrjetet joformale aktivistësh që e njohin mirë zonën, mbajnë kontakte me autoritetet dhe mbajnë shënime për kufomat e paidentifikuara.  Në Bullgari është ende herët për një qasje të tillë, por në Bosnje Hercegovinë drejtuesi i një rrjeti të tillë është Vidak Simić, 65-vjeç.

Atë e takojmë në varrezat e qytetit Bijeljina, disa kilometra në perëndim të kufirit serb. Qindra gurë varresh prej mermeri gjenden të radhitur në rreshta të gjatë, njëri pas tjetrit.

Emri i të ndjerit dhe datat e lindjes dhe vdekjes janë gdhendur me mjeshtëri. Por në këndin e pasmë të varrezave, dikush ka ngulur 19 shtylla druri në tokë.

Tek këto varre për datën e vdekjes, shënohet vetëm viti dhe shumë prej tyre lexojnë “2023”, së bashku me “HH”, versioni cirilik i shkurtesës latine “NN” ose “emri i panjohur”. Këtu prehen trupat e të vdekurve pa emër. Simić ka investiguar mbi vdekjen e tyre. Si një mjek i mjekësisë ligjore, ai është përgjegjës për pjesën ku lumi Drina shënon kufirin me Serbinë. “Lumi është i pabesë. Në verë duket si i padëmshëm, tamam si një përrua. Por thellohet shpejt dhe rryma e shpejtë përfundon në një vorbull. Të gjithë emigrantët në varreza u mbytën, me përjashtim të njërit”- thotë ai.

Simić ka ndezur një qiri për secilin prej tyre në kishë. “Të gjithë kanë familje diku që kujdesen për ta, njerëz që i kërkojnë”- shton mjeku. Simić vlerëson se rreth gjysma e azilkërkuesve që janë mbytur në Drina nuk janë gjetur kurrë. Të tjerët përfundojnë në tryezën e tij të autopsisë.

Vetëm këtë vit, ka kryer autopsi mbi 28 refugjatë, krahasuar me vetëm 5 në vitin 2022. Simić merr një mostër kocke nga çdo trup, në mënyrë që të afërmit të mund ta bëjnë krahasim me gjurmët e ADN-së nga një fije floku apo një veshje që i përket të ndjerit. Kjo është mënyra e vetme për t’i identifikuar ata pa asnjë diskutim.

Në frigoriferin e tij, ai ka ruajtur 40 mostra kockash. Sot testi i ADN-së kushton vetëm 130 euro. Nëse dikush do të analizonte të gjitha mostrat e tij dhe do të publikonte rezultatet, kostot vështirë se do të ishin më shumë se 5000 euro. Anëtarët e familjes së viktimave në Algjeri, Marok ose Afganistan mund ta bëjnë një test në vendin e tyre, thotë Simić, duke mos pasur nevojë për vizë, si dhe të shpenzojnë javë të tëra duke kërkuar.

Kërkimi i Husam Bibar përfundoi në Elkhovo, një qytet i vogël me 9.000 banorë. Këtu e sollën të dhënat e vendndodhjes që i dërgoi trafikanti përmes WhatsApp. Në komisariat, i tregon disa foto në celularin e tij personal. Së fundmi ai ka fotografuar 3 kufoma emigrantësh. Kur del fotografia e dytë, Bibars zë kokën me duar.

“Ky është djali im”- thotë duke gulçuar, para se të shpërthejë në lot. Husam mësoi se të birin e gjeti një fermer në arën e tij mëngjesin e 25 shtatorit. Në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune. Katër ditë më vonë, ai u varros zyrtarisht pa praninë e familjes apo miqve të tij. Kjo gjë është bërë normë në disa pjesë të Bullgarisë.

Nëse Bibars do të mundte, ndoshta do ta kishte varrosur Majdin diku tjetër, sipas ritualit islamik, ndoshta në Turqi pranë familjes së tij. Por autoritetet bullgare nuk do ta lejojnë këtë. Zhvarrosja nuk është e mundur për arsye ligjore. Dy ditë pas mbërritjes në Bullgari, Bibars niset sërish drejt Danimarkës, por pa trupin e djalit të tij./ Der Spigal