Kryetari i zgjedhur i bashkisë Himarë, Fredi Beleri i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit prej 7 muajsh tregoi në një intervistë ekskluzive për drejtuesen e emisionit Now në Euronews Albania, Erla Mëhilli bashkëjetesën me personazhe të njohur të politikës.
Beleri, i cili ndodhet në të njëjtin ambient ku mbahet ish-ministri Lefter Koka dhe ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, tha se takohet dhe flet shpesh me ta, edhe për drejtësinë në Shqipëri.
Sipas Belerit, qëndrimi i tyre për SPAK nuk është ai që dëgjohet në TV që SPAK do shpëtojë Shqipërinë, gjë që siç tha është vetëm në mendjen e PS.
“Sigurisht që takohem, ata vuajnë dënimin dhe kanë hallet e tyre, bisedojmë. S’jam i autorizuar të flas për ata. Sigurisht që bisedojmë, kanë qëndrimet e tyre që nuk janë nga ato që po dëgjohen në TV, që e gjithë bota është e kënaqur si funksionon SPAK dhe të gjithë dalin të brohorasin që SPAK do shpëtojë Shqipërinë, kjo është në mendjen e PS”, tha Beleri.