MENU
klinika

Ja çfarë mund të ketë ndodhur me liderin opozitar

Pse zhdukja misterioze e Navalny-t e shqetëson Perëndimin?

13.12.2023 - 17:49

Uashingtoni është i shqetësuar për lajmin se lideri kryesor i opozitës ruse Alexei Navalny është zhdukur, raporton “The Wall Street Journal”.

Bashkëpunëtorët e liderit të burgosur të opozitës ruse njoftuan në rrjetin social X se nuk kishin dëgjuar nga Navalny për gati një javë.

Javët e fundit, ai ishte i sëmurë dhe nën infuzion. Kur avokatët e tij u pyetën të hënën nëse ai ndodhej në dy komplekset e burgjeve në rajonin e Vladimirit, 180 kilometra larg Moskës, ku ndodhej deri vonë, ata thanë tha se nuk ishte në asnjë prej tyre.

“Ende nuk e dimë se ku është Aleksei”, ka shkruar zëdhënësja e tij Kira Jarmus. Departamenti Amerikan i Shtetit tha se ata kishin kontaktuar Moskën për Navalny, por nuk kishte asnjë informacion për vendndodhjen e tij.

Një zëdhënës i qeverisë amerikane tha se Uashingtoni ishte thellësisht i shqetësuar për Navalny pasi avokatët e tij njoftuan se disidenti 47-vjeçar me probleme serioze shëndetësore nuk ishte në gjendje të kontaktohej për gati një javë.

“Ne kemi informuar qeverinë ruse se ata janë përgjegjës për atë që i ndodh Navalny-t ndërsa ai është në paraburgim dhe se komuniteti ndërkombëtar do t’i mbajë ata përgjegjës,” tha të hënën një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

“Ai duhet të lirohet menjëherë. Ai nuk duhet të ishte në burg në radhë të parë dhe ne do të punojmë me ambasadën tonë në Moskë për të parë se sa më shumë mund të zbulojmë,” tha John Kirby, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA.

Lideri opozitar rus po vuan një dënim prej më shumë se 30 vjet burg për akuza të ndryshme.

Ai ndodhet në burg që nga janari i vitit 2021, kur u kthye në Moskë nga Gjermania, ku ai po shërohej nga helmimi me novichok.