Lista e Partisë Përparimtare Serbe e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiç ka fituar bindshëm zgjedhjet e 17 Dhjetorit.
Bazuar te të dhënat paraprake në këto zgjedhje të parakohshme, “Serbia nuk do të ndalet” e Vuçiç ka fituar 47 për qind të votave, ndërsa opozita, ajo e koalicionit “Serbia kundër dhunës” me 23.1 për qind.
E përkthyer në mandate, rezulton se nga 250 vende në Parlament, partia e Vuçiç do të ketë 129 deputetë, duke siguruar shumicën e nevojshme për të qeverisur të vetëm. Ndërsa opozita kryesore do të ketë vetëm 63 mandate. Vendin e tretë e zë koalicioni SPS i Daçiç me 6.8 për qind ose me 19 mandate. Ndërsa koalicioni NADA fitoi 4.9 për qind, ose 13 mandate.
Ndonëse në Luginën e Preshevës pati një pjesëmarrje tejet të ulët në zgjedhje, partitë shqiptare të ndara në dy lista koalicioni arritën të zgjedhin një deputet.
Sipas sondazheve, nga listat e komuniteteve, Shaip Kamberi e ka siguruar një ulëse të komunitetit shqiptar, Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës pritet të fitojë gjashtë ulëse, koalicioni i kroatëve të Vojvodinës tri ulëse dhe një ulëse ka fituar Partia Ruse.
Ndërkohë opozita serbe ka kontestuar procesin zgjedhor, duke aluduar për manipulime. Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Boris Tadiç, u bëri thirrje të gjitha partive opozitare që bashkërisht të paraqesin kallëzim penal kundër organizatorëve, siç tha ai, “ për votim të paligjshëm nga qytetarët e shteteve fqinje”, duke iu referuar dhe serbëve që jetojnë në Kosovë.
Kryeministrja Ana Brnabiç hodhi poshtë pretendimet e opozitës, ndërsa shpalli fitoren e zgjedhjeve, duke deklaruar për mediat se nga të dhënat paraprake do të kenë më shumë se 125 mandate në parlament.
Sipas mediave, mbi 20 mijë serbë që jetojnë në Kosovë kaluan kufirin dhe votuan në zonat pranë kufirit për zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Kjo është hera e parë që në Kosovë nuk u mbajtën zgjedhjet serbe. Për shkak të fluksit të lartë në pikat kufitare, policia dhe forcat e sigurisë së Kosovës shtuan prezencën në pikat doganore dhe përgjatë kufirit.
Një total prej 18 partive dhe aleancave kanë garuar për të fituar mbështetjen e 6.5 milionë banorëve, me të drejtë vote, për përfaqësim në Parlamentin me 250 ulëse.
Pragu për hyrje në Parlament është 3 për qind.
Fillimisht numërohen votat për Parlament, më pas për krahina dhe ato lokale.