MENU
klinika

Rritet industria nxjerrëse

Investimet e huaja, dominon energjia

25.12.2018 - 12:51

Energjetika dominoi investimet e huaja direkte edhe në tremujorin e tretë të vitit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet në energji arritën vlerën e 101 milionë eurove, sa rreth 38% e totalit të investimeve të huaja direkte gjatë periudhës.

Duke kryqëzuar të dhënat e investimeve sipas sektorëve me ato sipas shteteve, mund të arrihet në konkluzionin se këto investime i takojnë kryesisht dy ndërmarrjeve, TAP dhe Devoll Hydropower.

Në fakt, pesha e energjetikës ndaj totalit të investimeve të huaja është në rënie graduale, për shkak se dy projektet e mësipërme e kanë arritur pikun e ciklit të investimit dhe janë drejt mbylljes së plotë.

Ndërkohë, një ringritje e investimeve u regjistrua në sektorin e industrisë nxjerrëse. Tremujori i tretë ishte më pozitivi deri tani gjatë vitit 2018, me 55 milionë euro investime. Investimet në këtë sektor i takojnë kryesisht industrisë së nxjerrjes së naftës.

Sektori financiar edhe për tremujorin e tretë vazhdoi të sillte investime të konsiderueshme, për një vlerë prej 32 milionë eurosh, të cilat i takojnë kryesisht sektorit bankar.

Investimet e huaja në këtë sektor kanë ruajtur vlera të konsiderueshme përgjatë viteve të fundit, e lidhur kjo sidomos me injektimet e vazdueshme të kapitalit nga grupet bankare zotëruese te filialet e tyre shqiptare.

Rritje të tremujorin e tretë kanë njohur edhe investimet e huaja në sektorin e pasurive të paluajtshme, që prekën vlerën e 31 milionë eurove.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


223 mln euro në tremujorin II

Bien investimet e huaja