2023-shi ishte viti i tretë radhazi në Shqipëri ku pagat pësuan rritje të ndjeshme në harkun nga 7% deri ne 15%. Papunësia në tremujorin e tretë të vitit 2023 shënoi 10,5% dhe pak nga pak Shqipëria po i afrohet papunësisë një shifrore, e cila do ta vështirësojë edhe më shumë përmbushjen e ofertës për punë.
Në Shqipëri presioni i tregut të punës filloi të ndihet ndjeshëm në vitin 2021, periudhë kur oferta për punë nuk gjente mjaftueshëm punëkërkues. Në këto kushte tregu i punës u çekuilibrua dhe mekanizmi rregullues ishte rritja e pagave nga punëdhënësit, e cila ndodhi diku më shumë dhe diku më pak. Rritja e pagave dhe ajo e çmimeve kanë ardhur paralelisht, gjë që ka prekur fuqinë blerëse.
Rritja e çmimeve (me justifikimin e luftës në Ukraine) preku të gjithë Europën dhe rrjedhimisht edhe Shqipërinë, ku në disa raste në mënyrë shumë spekulative. Mund të them që në Shqipëri kjo rritje ndihet shumë, sepse aty ku ka pak të ardhura rritja e çmimeve bëhet shumë e ndjeshme dhe dhimbshme, por unë do të doja ta ndaja analizën e rritjes së pagave nga ajo e çmimeve, sepse janë dy tregje te ndryshme.
Rritja e pagave bën që në një masë të gjerë çmimet e rritura të qëndrojnë, por kjo nuk duhet të interpretohet që pagat të mos rriten. Në të kundërt, rritja e pagave duhet të vijojë, por ajo duhet të jetë e kujdesshme dhe graduale. që mos të shkaktojë inflacion spekulativ, por të rrisë produktivitetin, cilësinë dhe aftësinë e punëdhënësve dhe punëmarrësve për të konkurruar në tregje më të gjera se Shqipëria.
Pavarësisht shpjegimeve me lart, secili nga ne bën një pyetje të thjeshte, a do të rriten pagat në vitin 2024? Gjykoj që pagat do të rriten, por ritmi i rritjes do të bjerë. Bazuar në analizën që kemi bërë në zyrën tonë, në gjashtë muajt e fundit të 2023, por edhe në rritjet e parashikuara të bizneseve që janë klientët tanë, mund të themi që rritja në vitin 2024 do të jetë në harkun 4% – 8%.
Mendojmë se tregu i punës po shkon në ekuilibër dhe këto rritje janë brenda normave të inflacionit, rritjes ekonomike dhe meritës që punonjësi ka brenda organizatës ku punon. Kjo nuk përjashton që kompani të caktuara të bëjnë rregullime pagash për pozicione ose persona të caktuar, të cilët mund të jenë aktualisht të nën paguar apo që duan t’i paguajnë edhe më mirë. Rregullimet e pagave nuk janë e njëjta gjë me rritjen e përgjithshme te pagave.
Ato fillojnë nga 12% deri në 25% dhe natyrisht janë edhe në varësi të rrallësisë së pozicionit apo kërkesës për profesione të caktuara në një moment të caktuar. Rregullimet e pagave nuk janë masive, por të targetuara.
Pozicionet/profesionet që pritet të jene më të kërkuara gjatë vitit 2024
Ekonomia në Shqipëri sot ka dy motorë zhvillimi, të cilët reflektohen edhe në punësim. Këto janë turizmi dhe ndërtimi. Gjithashtu pritet të vazhdojë kërkesa edhe për punonjës të sektorit të teknologjisë së informacionit, por edhe për pozicione që duhet të prodhojnë cilësi, siç janë drejtuesit dhe specialistet për çdo funksion. Tregu gjithmonë e më shumë ka nevojë për njerëz edhe më të aftë dhe më kompetentë, edhe me më njohuri, etj, e për këtë arsye do ofrojë paga konkurruese për këto nivele.
Turizmi
Ndërtimi
Teknologjia e informacionit
Drejtues (për të gjithë sektorët
Specialist (për të gjithë sektorët)
Turizmi
Viti 2024 pritet të ketë kërkesë shumë të lartë për të gjithë punonjësit që punojnë në industrinë e turizmit si akomodim, gastronomi, argëtim, transport, zinxhir furnizimi, etj. Kërkesa më e lartë pritet të jetë:
Shofer autobusi
Shofer transporti
Menaxher hotelesh
Menaxher restorantesh
Menaxher baresh
Kuzhinier
Shitës HoReCa (hotel-restorant-katering)
Punëtorë të thjeshtë (furnizim, pastrim, roje)
Kamerierë
Shërbim klienti
Të tjerë (Magazinier, punonjës magazine, ndihmës, ekonomist, etj)
Pagat në sektorin e turizmit janë shumë të ndryshme dhe kaotike, ndryshe është paga në Velipojë, ndryshe në Tiranë apo në Palasë, ndryshe është një punonjës në një bar-kafe, ndryshe në një hotel të investuar mirë. Shpeshherë pagat në këtë sektor janë jo te deklaruara drejt dhe ka punësim në të zezë.
Këto arsye e kanë bërë të pamundur një studim pagash për këtë sektor. Mungesa e sondazhit të pagave ndikon negativisht për vetë punëdhënësit, por edhe në qarkullimin e stafit në këto biznese (qe është shume i lartë). Pagat në këtë sektor i nënshtrohen momentit dhe “hallit” ku oferta dhe kërkesa emotive, si nga punëdhënësit ashtu edhe punëmarrësit, i rrëmben në vendimet e tyre. Në këtë sektor nuk ka qartësi dhe rregulla, të cilët shkaktojnë lëvizjen e stafit në nivele shumë të larta brenda një tremujori.
Gjithsesi, kërkesa për këto profile është e lartë dhe negociata mes palëve duhet bërë mirë dhe drejt që në fillim të punës.
Ndërtimi
Edhe sektori i ndërtimit do të vazhdojë të këtë kërkesë të lartë për punonjës, dhe veçanërisht për punonjës me njohuri, qofte edhe minimale, por ky sektor nuk është më i interesuar për punëtorë që nuk kanë asnjë njohuri për t’u punësuar si “specialistë”. Kërkesa pritet të jetë për:
Specialist hidraulik
Specialist elektrikë
Specialit gips
Specialist pllakash
Specialist dritaresh
Specialist dyersh
Bojaxhi
Mbikëqyrës punimesh
Specialist hekuri & betoni
Shofer
Te tjerë (Punëtorë, magazinier, ekonomist, etj)
Përtej kërkesës për këto profile pune, pagat në sektorin e ndërtimit janë si në atë të turizmit, të pa balancuara dhe të bazuara në nevoja momentale dhe emergjente. Emergjencat çojnë si në paga të larta momentale dhe më pas largime, por edhe në tërheqje momentale punëmarrësish të cilët janë të parët që rrezikohen nesër kur emergjenca ose puna ulet, sepse janë më të shtrenjtë sesa tregu.
Zgjedhja e punëdhënësit të duhur, reputacioni i tij, respektimi i rregulloreve teknike duhet të jenë primare për punonjësit e sektorit, dhe jo një pak më lart, që nuk plotëson këto kritere.
Sektorët e turizmi dhe ndërtimi, së bashku me prodhimin/përpunimin prej dy vitesh janë duke eksperimentuar edhe forcë punëtore nga vendet e tjera si Turqia, Egjipti, Nelapi, Bangladeshi, India Lindore, Filipinet, etj. Gjate sezonit 2023 u vu re që disa kompani punësuar forcë punëtore të pakualifikuar nga këto vende, por ende numri i këtyre punonjësve është jo domethënës për tregun e punës.
Sipas Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përpunuar nga INSTAT në fund të vitit 2022 (për vitin 2023 ende nuk janë publikuar te dhënat), numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 18.151 persona, nga te cilët meshkuj 62,5 % dhe femra 37,5 %.
Numri i tyre në vitin 2023 është rritur, por aktivë në tregun e punës janë më pak sesa 8,000 të huaj, ku vendin kryesor e zënë ata me shtetësi Italinë (që nuk janë të angazhuar në punë të pakualifukuara, por kryesisht në biznese vetjake), Turke, të Kosovës, Egjipti, Filipine, Maqedonia e Veriut, Bangladeshi, Siria, etj. P.sh, nga Egjipti deri në fund të vitit 2022, ishin me leje pune 395 persona. Ende forca e punës nga jashtë është e papërfillshme për tregun e punës në Shqipëri, dhe pritet që edhe përgjatë vitit 2024 të jetë e tillë.
Teknologjia e informacionit
Në të njëjtën kohë dhe kërkesa për profile informatike dhe programues do të jetë e pranishme. Për punonjësit me përvojë ky treg është tashmë i maturuar, por lëvizjet do jenë paralele, gjë që do të çojë në paga pak më larta. Pritet që pagat e tyre të jenë në harkun 2,000 – 4,000 Euro Neto.
Ndërsa për punonjësit pa përvojë, të cilët mbarojnë kurse formimi profesional në informatikë dhe gjuhe programimi do te ketë kërkesë por pagat do të jenë në harkun 550 – 750 Euro Neto.
Në këtë sektor ka dallim të madh ndërmjet specialisteve me përvojë, gjuhë të ndryshme programimi dhe atyre që janë fillestarë. Kërkesa për të dy nivelet është e pranishme, por për ata me përvojë është më e lartë.
Drejtuesit
Viti 2023 tregoi për shumë kompani që punët e mira nuk bëhen dot pa drejtues të mirë. Fatkeqësisht tregu ka mungesë të drejtuesve të aftë, që kryejnë punë të një cilësie të lartë. Për këtë arsye drejtuesit do të jenë të kërkuar në treg përgjatë 2024. Pagat e tyre do të variojnë:
Pagat më larta janë nxjerrë nga një përpunim shumë i gjerë pozitash, sektorësh, kompanish, etj, që do të thotë së ka paga më larta në kompani dhe sektorë të caktuar. Gjithsesi pagat me lart tregojnë një indikator të këtyre profesioneve në treg, të cilat priten që të rriten me 4-8%.
Specialistët
Në të gjithë sektorët e ekonomisë sot nevojiten specialistë, çdo kompani e madhe apo e vogël, vendase apo e huaj, ka nevojë për specialistë, të cilët janë edhe potenciali për drejtues nesër. Disa nga pagat që ne kemi analizuar janë:
Pagat për këto pozicione pritet që të rriten në vitin 2024 në masën 6-8%.
Sot në Shqipëri aktorët e tregut të punës, si punëdhënës ashtu dhe punëkërkues, janë në fillesat e të kuptuarit se kjo marrëdhënie është dypalëshe dhe asnjë nga palët nuk e posedon tjetrën. Ajo vijon të kontrollohet me tepër nga punëdhënësit, por duke marrë parasysh se tre vjet më parë kontrollohej plotësisht prej tyre, sot kemi bërë shumë hapa përpara, falë kushteve të reja të tregut të punës, hapjes së tij, por edhe kërkesës në rritje të ekonomisë për forcë punëtore të thjeshte dhe të kualifikuar, që aq shumë na duhet. /Monitor