MENU
klinika

Minxhozi: Problemi më i madh është...

“Arresti tregoi se Berisha e ‘Rithemelimi’ nuk janë më faktor relevant në opinionin publik”

03.01.2024 - 20:21

Analisti Skënder Minxhozi, në një intervistë për “Newsline”, komentoi izolimin e Sali Berishës në shtëpi pas vendimit të gjykatës. Ai thotë se braktisja e Berishës nuk nisi pas masës së kërkuar nga SPAK, por ka filluar që me përçarjen e PD-së dhe humbjet e përsëritura të kësaj force gjatë viteve të fundit.

Sipas Minxhozit, PD ka bërë zgjedhje të gabuara që nga viti 2013, kur zgjodhi Bashën në krye si edhe me rikthimin e Berishës me premtimin se do të fitonte sërish. Analisti shtoi gjithashtu se indiferenca që kanë treguar qytetarët, tregon se Berisha dhe Rithemelimi nuk janë më një faktor i rëndësishëm.

“Ky është një proces, i cili nuk fillon me arrestin në shtëpi të Berishës dhe nuk mbaron këtu. Proces që ka filluar me përçarjen e PD-së, me humbje të përsëritura të saj të dekadës së fundit, me dualizmin e pashëruar asnjëherë Berisha-Basha në parti, dhe me atë rotacion të munguar elite që arriti në nivele shqetësuese kur Berisha vendosi në një moshë të shtyrë të rikthehet në krye të partisë duke premtuar se do të fitojë. Nuk është se Berisha po e shpreh pafuqinë politike vetëm në këto orë që është mbyllur në shtëpi. Problemi është më i thellë se kaq, PD ka bërë zgjedhje të gabuara që herët që nga viti 2023, ka vendosur një kryetar tranzitor si Basha që nuk arriti asnjë pritshmëri, ka pasur Berishën si kumbar të rregullt në çdo zgjedhje dhe së fundmi, Berisha ka pasur iluzionin se pas shpalljes non grata do të arrijë pakënaqësi popullore. Pati iluzionin e gabuar dhe bëri gabimin taktik të radhës që besoj se mund t’i ofrojë votuesve të tij të pakësuar një fitore që duket më e largët se kurrë. Mbyllja në shtëpi e tij është gjest i rëndë jo vetëm për pasojat që sjell në mënyrë imediate në krye të partisë.

Problemi kryesor është se duke u mbyllur në shtëpi dhe u konsumuar këtë akt në një indiferencë popullore, Berisha dhe Rithemelimi tregojnë se nuk janë më faktor relevant në opinionin e gjerë publik dhe e çuditshme është se si ata zgjedhës që kanë pas vetes, dhe nuk janë të paktë, refuzojnë të shfaqen dhe të jenë prezentë në momente kaq delikate politike jo vetëm për forcën politike por dhe për politikanin që ata besojnë. Do të thosha se problemi i madh është imazhi që krijohet rreth Berishës dhe vetë PD zyrtare dhe Rithemelimit, ai imazh pafuqie që prish shumë punë. Fuqia politike mbështetet tek perceptimi i fuqisë. Dhe besoj se kjo goditje që ka marrë rithemelimi me mbylljen në shtëpi të kreut të saj, besoj se është problem më i pazgjidhshëm sepse mbi këtë reagim popullor do të duhej të ngriheshin më vonë edhe lëvizjet që premtoi Rithemelimi. Nëse nuk ka reagim njerëzish, është një teatër politik që nuk ka publik.”, theksoi Minxhozi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Berisha kërcënime boshe, nuk ka mbështetje popullore"

Federatë opozitare? Minxhozi: Një komedi

"12 zyrtarë socialistë kanë punë me SPAK"

Minxhozi: Përse nuk hidhet një hap procedural për Berishën?!