Analistët vlerësojnë se mediat në Malin e Zi janë të ngarkuara me dezinformata dhe lajme të rreme duke ndikuar dukshëm në përçarjen e shoqërisë malazeze.
Dezinformatat, sipas tyre, u intensifikuan që kur filloi agresioni rus në Ukrainë, por edhe gjatë dy zgjedhjeve të fundit parlamentare, ndërkohë që në Malin e Zi ende paraqitet si problem verifikimi i lajmeve të rreme.
Dezinformatat në mediat e ndryshme në Malin e Zi, sipas analistëve, kanë një përhapje të theksuar duke ndikuar negativisht në shoqërinë malazeze. Analisti dhe i këtyre çështjeve, Aleksandar Sasha Zekoviç i tha Zërit të Amerikës se dezinformatat në mediat malazeze janë të vazhdueshme dhe paraqesin një problem serioz.
“Ky është një problem prej kohësh në Malin e Zi dhe dezinformatat kanë ndikuar dukshëm në përçarjen e shoqërisë malazeze”, tha zoti Zekoviç. Edhe studiuesi i medias dhe analisti Haxhi Shabani, vë në dukje se dezinformatat janë përhapur në të gjitha mediat në Mal të Zi.
“Dezinformata është karakteristikë jo vetëm në mediat elektronike, por edhe në ato alternative siç janë portalet e sidomos në rrjetet sociale. Janë të shquara sidomos ato media që janë të ndikuara nga qarqet e ndryshme ruse dhe serbe”, tha zoti Shabani.
Studiuesi Shabani vlerëson se dezinformatat dhe lajmet e rreme u intensifikuan në dy zgjedhjet e fundit parlamentare në Malin e Zi.
“Kjo ka qenë karakteristike sidomos në dy zgjedhjet e fundit parlamentare ku kanë fituar qarqet, të cilat kanë qenë të shquar apo kanë pasur lidhje me qarqet e përmendura serbe dhe ruse dhe nga strukturat shtetërore është bërë një reagim më së shumti kur kanë qenë të detyruar”, tha zoti Shabani.
Zoti Zekoviç, vë në dukje faktin se “qeveritë malazeze nuk kanë treguar seriozitet dhe shqetësim real për dukuritë e krijuara në media”.
Analistët theksojnë se lufta informative dhe dezinformatat u fuqizuan pas pushtimit rus në Ukrainë, ndërkohë që në Mal të Zi ende paraqitet si problem verifikimi i lajmeve të rrejshme.