MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Varësia nga alkooli, psikologjike apo biologjike?

18.01.2024 - 07:33

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Varësia nga alkooli, psikologjike apo biologjike?

Mjeku: Si edhe format e tjera të vartësisë, edhe ajo nga alkooli është një sëmundje. Një zakon i keq mund të modifikohet me anë të një motivimi të fortë të subjektit dhe me ndihmën e një ambienti të favorshëm. Për të eliminuar vartësinë nga një substancë me të cilën abuzohet, nuk mjafton vetëm “forca e vullnetit”, por është e nevojshme edhe ofrimi i ndërhyrjeve të ndryshme: që nga mbështetja psikologjike dhe sociale deri në përdorimin e medikamenteve, kur kjo mendohet e nevojshme. Motivimi i subjektit është kryesor për të luftuar vartësinë, por me këtë nuk mund të hiqet vlera e ndërhyrjeve të ndryshme, sepse çdo masë e përdorur bie në kundërshti me disa fenomene që mund të favorizojnë vartësinë.

Zakoni kronik i përdorimit të pijeve alkoolike karakterizohet nga dy forma të vartësisë: Një vartësi “psikologjike” dhe një “biologjike”.

E para konsiston në tendencën që tregon personi, për të përsëritur eksperiencat pozitive që ka jetuar nga përdorimi i alkoolit. Nëse marrja e një pije alkoolike e ka ndihmuar të lehtësojë një gjendje të tensionuar pas një ditë pune të ngarkuar apo e ka ndihmuar të dalë nga një gjendje ku është ndjerë si i huaj, në një tjetër gjendje ku është ndjerë mirë dhe i kënaqur në shoqëri, e shtyjnë personin ta pëlqejë edhe më shumë pijen.

Në fazën e parë kjo mund të jetë vetëm një zakon, në vijim individi ndjen gjithnjë e më të fortë nevojën për të pirë, një nevojë jo normale edhe nëse vetë personi nuk e percepton si të tillë. Këto janë shenjat e para për të kaluar nga vartësia psikologjike në atë biologjike.

Ka ndodhur që marrja e vazhdueshme apo e përsëritur e alkoolit ka krijuar në sistemin nervor qendror mekanizma të tilla që truri të “ndjejë nevojën” nga alkooli për të funksionuar dhe të nxisë individin për ta përdorur atë. Në fakt, sinjali vendimtar i prezencës së një vartësie është shfaqja e kërkimit anksioz dhe spazmotik për pijet alkoolike, që në anglisht përcaktohet si “craving” (dëshira qoftë edhe për një gllënkë).

Organizata Botërore e Shëndetësisë radhit alkoolin në vend të parë për dëmet sociale, në vend të dytë për nga vdekshmëria fiziko-organike dhe në vend të tretë për nga çrregullimet e shëndetit mendor.

“Alkoolizmi po rrit ndjeshëm numrin e pacientëve me probleme të shëndetit mendor, po rrit koston e trajtimit farmakologjik të patologjive bio-organike, ndërsa varësia alkolike po jep regres të përgjithshëm”, thotë shefi i Klinikës së Trajtimit të Varësisë Alkoolike (Shërbimi i Alkoologjisë) pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, dr. Shpëtim Doksani.

Por shqetësues është fakti që ky fenomen po prek një përqindje serioze të popullsisë aktive, të moshës 30-60-vjeçare.

Referuar të dhënave paraprake (në Shqipëri ), edhe pse kontradiktore, flasin për rreth 30% konsumatorë alkoolikë (të lehtë, të moderuar dhe problematikë), 15% konsumatorë problematikë, abuzues dhe të rrezikshëm, si dhe rreth 4% dipendentë alkoolikë.

Pasojat sociale që rrjedhin prej konsumit të alkoolit, po godasin familjet dhe shoqërinë shqiptare. Krahas problemeve shëndetësore, alkooli po shkakton rritje të dhunës në familje, aksidenteve, por edhe të kriminalitetit etj, pohojnë specialistët.

Studimet e fundit të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik në fushën e alkoologjisë shqiptare tregojnë se afërsisht 340 mijë persona konsumojnë alkool, nga të cilët 58% pinë alkool tej masës së lejuar dhe rreth 20% e tyre (rreth 2% e popullsisë) janë të varur prej tij, ndërsa rreth 9% e sëmundshmërive kronike jane pasojë e abuzimit të zgjatur alkoolik. Nga ana tjetër, mbetet shqetësues fakti se rreth 4.8% e femrave të moshave fertile kanë rezultuar konsumatore “të rregullta” të alkoolit.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN