MENU
klinika

Igli Tola

(S) Kemi lek për arsimin…

26.12.2018 - 17:46

Teksa protesta e studentëve vijon të marri vëmendje dhe suport në masë nga shoqëria, e çuditshme është të ndjekësh tek flitet me gjoja ‘kompetencë’ për ekonominë e arsimit në media. Disa analistë demagog së bashku me kastën aktuale të politikanëve janë përzier në një mish-mash të pakuptueshëm të trembur nga dashuria për karrige apo thjeshtë nga pasioni i frymëzuar nga manifestimi ynë masiv.

Këto trumpetojnë se rritja e përkrahjes financiare publike për arsimin dhe kërkimin shkencor është e pamundur. Na thonë nuk ka para Shqipëria për të çuar më shumë se 3.1% të tortës së madhe (GDP) për arsimin. Ndërkohë që për t’a çuar shifrën në mesataren prej 5.1% të BE, mjaftojnë vetëm 230 milionë €… Si, duket shumë?

Epo ja që Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) thotë se një pjesë e tyre janë zënë gafil me duart e përlyera te torta e vitit 2017 (sikur të ishte torta e Pavarësisë), duke zhdukur plot 826 milionë €. E të mendosh që këtë e deklaron një institucion yni, me nivel (pa)varësie dhe (pa)besueshmërie të konsiderueshëm. Lëre pastaj sikur të zëvendësohet babëzia e grabitjes së pasurive natyrore me politika adekuate të zhvillimit afatgjatë, mundet të bëhet e gjithë torta më e madhe, kështu edhe pjesa e arsimit do të jetë e mjaftueshme.

Disa syresh pohojnë se më shumë para për arsimin dhe shkencën do të thotë më pak para për zëra të tjerë, e po ashtu se ka kaq shumë gjëra që duhen bërë me paratë tona publike..

Tentojnë më kotë të na hedhin trutë e gomarit, pasi e vërteta është se do ketë gjithnjë kohë për të rregulluar spitalet apo rrugët e vendit, por koha për të ndrequr shkollën shqiptare po mbaron, përkundër shpejtësisë me të cilën po ndryshon bota sot. Arsimi, është burimi më i rëndësishëm ekonomik i shekullit të XXI-të. Nuk është as nafta, as kromi, as deti dhe as domatja. Për Shqipërinë, investimi në Arsim, është e vetmja çështje kombëtare, i vetmi prioritet strategjik që duhet ndjekur, është njëherësh shpresa jonë e fundit për të dalë nga bataku politik, ekonomik dhe social ku jemi.

Investimi në Arsim krijon pavarësinë e individit dhe të krijimit të pasurisë nga politika, ndaj politikanët do tentojnë të largojnë investimin publik nga Dija dhe ta çojnë në mënyrë të fragmentuar, në palma, sheshe, apo rrugë dhe rrugica pa krye.

Nga disa të tjerë tentohet të manipulohet me terma dhe koncepte ekonomike, si sakrifica dhe kostoja oportune. Po duhet të kihet parasysh se kthimi nga arsimi është më i madh edhe se ai që të vjen nga investimet në tregjet e mëdha financiare. Nuk e them unë këtë, por Banka Botërore që pohon se kthimi nga arsimi shkon 8.8%, kurse tregjet bursiere mesatarisht këto 50 vite kanë shënuar 5.6% fitim vjetor.

Ndërsa, po të duhet elaborim më i thellë ekonomik, qytetarë të mirë arsimuar nesër, do të thotë ndër të tjera më shumë prodhim dhe të ardhura, pra edhe më shumë para në thesin e përbashkët të taksave që u kemi besuar të zgjedhurve tanë. Apo sesi arsimimi i një individi është i mirë edhe për të tjerët, kur flasim për eksternalitetet pozitive.

Një statistikë ilustruese për këtë situate është paraqitur po nga BB. Shqipëria duke përfshirë njerëzit, pasuritë natyrore dhe prodhimin kombëtar është çmuar me 153.6 miliardë dollar, ku vlerën më të madhe e ka kapitali njerëzor me rreth 66 miliardë lekë, ose ndryshe 42% të totalit. Duke analizuar prirjen shqetësuese përmes treguesve të kontabilitetit të pasurisë, shihet se pasuria në rritje mund të përfitohet vetëm përmes një sistemi arsimor të mirë. Në vendet me të ardhura të larta, llogaritet se kapitali njerëzor përbën 70 për qind e pasurisë, pasi te ai është investuar seriozizht me politika arsimore, internshipe, trajnime etj.

Po të shohim ç’bëjnë kombe të ndryshme nëpër botë mund të fillojmë të mendojmë se edhe ‘5%’-shi është pak. Në varësi të gjendjes në të cilën ndodhen, vende të ndryshme bëjnë shpenzime të ndryshme për arsimin. Nëse Norvegjia apo SHBA shpenzojnë 16-17 për qind të GDP-së, Emiratet e Bashkuara Arabe arrijnë në 22.5%, Meksika në 24.3% dhe Maroku në 26.4%. Kjo, pasi ato duan të kapin kohën e humbur.

Duke u kthyer në historinë e Europës, tek Gjermania, në Prusinë e hershme, u krijua i pari sistem shkollor për të gjithë, me synim arsimimin e 100 për qind të popullsisë ndaj edhe Prusia, e më pas Gjermania, u bë vendi i parë në botë ku e gjithë popullata dinte shkrim e këndim. E si pasojë e kësaj, ne sot e përmendim me respekt të madh shkallën e lartë të ndershmërisë së administratës gjermane, nivelin tepër të ulët të korrupsionit dhe ndërgjegjen thuajse të përsosur të kombit gjerman.

Në përfundim, duhet të kemi parasysh se politika do përpiqet të vazhdojë të krijojë urgjenca dhe emergjenca buxhetore, ku të mund t’i shpenzojë paratë publike. Kurse, ne qytetarët shqiptarë duhet të ftillohemi dhe t’i detyrojmë, këto politikanët që na kanë zënë derën që të investojnë në arsim. Investimi në arsim është si rritja e një fëmije, dhe rezultatet i jep po njësoj – në afatgjatë, porsi Jeta.