Dje janë shënuar 13 vite nga 21 janari, ku mbeten të vrarë 3 persona. Presidenti i vendit në atë kohë Bamir Topi, në një intervistë televizive në fundjavë ka treguar detaje lidhur me atë ngjarje, ndërsa kujton edhe takimin me ambasadorë të akredituar në Tiranë një ditë para ngjarjes. Më tej, Topi shtoi se Rama i braktisi protestuesit në Bulevard dhe se kjo është përgjegjësi direkte e tij. Ai tha se në momentin kur u ekzekutuan qytetarët ai e ka dënuar dhunën dhe ka bërë thirrje për drejtësi dhe qetësi, por kjo nuk i ka pëlqyer Berishës, i cili ishte kryeministër në atë kohë. “Ajo që unë nuk kam pranuar tek kjo protestë, është kalimi i limiteve, pra tejet e dhunshme dhe e dyta, që unë nuk e kam kuptuar, ka qenë braktisja e kësaj proteste nga njeriu që duhet ta drejtonte politikisht këtë protestë. Zoti Rama i doli zot kësaj proteste dhe në fund i la protestuesit të dhunojnë dhe iku dhe në sytë e mi ishte një braktisje totalisht e pa justifikuar e saj. Gjithmonë një drejtues politik i orienton njerëzit dhe brenda asaj turme ka njerëz që administrojnë vetveten dhe braktisja në mënyrë të qëllimshme, është përgjegjësi direkte e zotit Rama. Situata precipitoi në mënyrë dramatike. Komunikimin e parë e kisha një natë përpara, komunikimi i dytë është momenti kur u ekzekutuan qytetarë, kam dënuar dhunën, kam bërë thirrje për drejtësi dhe qetësi. Berishës në atë kohë kryeministër nuk i ka pëlqyer ai momenti kur unë flas për ngjarjen në bulevard, unë flas për vrasjet në Bulevard”, tha ai.
Topi: Prokuroria u pengua, mjekët mashtruan
Ndërkohë, Topi theksoi se Prokuroria e asaj kohe është penguar në lidhje me hetimet për këtë rast dhe se brenda shtetit u krijuan kushtet e një puçi shteti. Sipas tij, ajo që dëshmuan mjekët ishte qartazi një mashtrim i madh. “Prokuroria u pengua për të marrë provat. Për këtë janë dëshmitarë shumë njerëz që kanë punuar në prokurori asokohe. Prokuroria u fut në një konflikt të fortë institucional, nuk u zbatuan urdhrat e ndalimit të prokurores. Bashës i dhashë një këshillë që mund edhe të mos ia jepja. Secili e di mirë detyrën e tij. Kjo është një çështje e rëndë. Nuk e di si e ke raportin me letrat i thashë, por kjo situatë do të ketë jehonë për shumë vite. Edhe sot është diçka e pagjykuar drejt. Unë kam thënë se ajo që dëshmuan mjekët ishte qartazi një mashtrim i madh dhe kjo u vërtetua më pas nga urdhri i mjekut. Ajo që doli vërtetoi se goditjet nuk ishin brenda turmës si e reklamonte Berisha”, tha ndër të tjera Bamir Topi.
Takimi me trupin diplomatik
Ndër të tjera, Topi u shpreh se 21 janari është futur në kalendarin historik si ngjarja më traumatike dhe e dhunshme. Ai tha se më 20 janar kishte organizuar një takim në Pallatin e Brigadave ku iu kishte bërë thirrje forcave politike që të ulin tensionet dhe të gjejnë kurajo për të dialoguar, por askush nuk e dëgjoi. “Ka qenë data 20 janar, kisha organizuar në Pallatin e Brigadave një takim me trupin diplomatik dhe natyrisht isha shumë i kujdesshëm, por informacionet që vinin ishin të tilla sa unë jam shkëputur nga leximi. Ua kam bërë me dije edhe trupit diplomatik. Informacionet merreshin hap pas hapi dhe palët politike kishin një lloj ekzibicioni që të shfaqen me gjithë virulencën e tyre. Kryetari i Shtetit në çdo rrethanë së bashku me kryeministrin është destinacioni i parë i informacionit. Kishte arritur pika e konfliktualitetit në maksimum. Në atë mbledhje me trupin diplomatik u kam bërë thirrje forcave politike që të ulin tensionet dhe të gjejnë kurajë për të dialoguar dhe sikurse u pa ditën e nesërme, askush nuk e dëgjoi. Kur në zyrën e kreut të Shtetit, takimet janë intensive në momente të tilla kur paralajmërojnë një trazirë”, tha ai. Po ashtu zoti Topi tregoi pse dolën qytetarët në protestë asokohe. “Të gjithë ata që përbënin opozitën kishin deklaruar në mënyrë virulente dhe kishin paralajmëruar se si do të zhvillohej ajo situatë. Pa dyshim që kishte edhe paralajmërime nga qeveria. Erdhi nga një moment korruptiv nga një video. Solli një akumulim të egërsisë qeveritare për t’iu kundërvënë qeverisë”, nënvizoi ish-presidenti Bamir Topi.