Një pensionist do të marrë rreth 500 lekë shtesë në muaj pas indeksimit që pritet të bëhet përgjatë këtij viti. Kjo pasi nga fondi 73 milionë dollarë që është adresuar, 34 milionë dollarë do të shkojnë për bonusin e fundvitit dhe 39 milionë dollarë do të përdoren për indeksimin që bëhet bazuar në normën e inflacionit. Ky fond, thotë eksperti i Sigurimeve Shoqërore Kujtim Hoxha do të sjellë një rritje mesatarisht 500 lekë në muaj. Shtesa pritet të aplikohet në muajin prill, siç edhe ka ndodhur në vitet e mëparshme, me përjashtim të vitit 2023 ku indeksimi me 8.6 për qind u krye në muajin tetor. Nga studio e emisionit “Box to Box”, Hoxha u ndal edhe tek vlerësimi i skemës që Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nisur në bashkëpunim me Bankën Botërore, duke vënë theksin tek miratimi i minimumit jetik. Ky minimum jetik, sipas tij duhet të shërbejë si bazë jo vetëm për pensionet që lidhen rishtazi por edhe për ata të cilët janë aktualisht në skemë, e që trajtohen me pensione minimale.
Ulen ndjeshëm vitet e nevojshme të kontributit
Por në këtë situatë ka dhe një lajm të keq. Për të përfituar pension të plotë pleqërie në vitin 2023 duheshin 37.5 vite pune me sigurime të paguara, por ata që dolën në pension kishin mesatarisht vetëm 27 vite pune me sigurime. Personat që dolën në pension në vitin 2012 kishin paguar mesatarisht 34 vite sigurime dhe në vitin 2023 vetëm 27. Mosplotësimi i kriterit të viteve të punë me sigurime ul në mënyrë të jashtëzakonshme përfitimet nga pensioni. Në njërën anë pensionistët e rinj kanë gjithnjë e më pak vite me kontribute dhe nga ana tjetër vit pas viti bashkë me moshën e daljes ne pension rritet edhe periudha e viteve me kontribute. Vitin e kaluar duheshin 38 vite sigurime për të përfituar pension të plotë dhe deri në vitin 2030 do të duhen 40 vite për të përfituar pension të plotë. Por me ritmet aktuale pensionistët shqiptarë nuk do të plotësojnë as gjysmën e viteve me kontribute duke bërë që pagesat e tyre në të ardhmen të jenë shumë të ulëta, gati sa pensioni minimal. Me reformën e re të pensioneve që hyri në fuqi në vitin 2015 pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar sipas nenit 92, shumëzuar me pensionin social. Shtesa është 1% për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Por duke qenë se tani kriteri i viteve me kontribute po plotësohet gjithnjë e më pak, pensionet e reja të pleqërisë rezultojnë ngjashme me pensionet sociale, duke dekurajuar kështu pagesën e kontributeve nga punonjësit aktual vërën Fondi Monetar Ndërkombëtar në rishikimin e fundit të Marrëveshjes me Shqipërinë. Pensionistet, që nuk përmbushin vitet e punës dhe nuk arrijnë të përfitojnë një pension të plotë pleqërie, po rriten me shpejtësi. Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2022 pensionistët me pagesë të pjesshme përbënë 48% të totalit të personave që përfitojnë pension pleqërie nga 45% me 2021. Më 2022 në të gjithë vendin numëroheshin 481,420 përfitues të pensionit të pleqërisë nga të cilët 231,734 morën pagesa të pjesshme. Rritja më shpejtësi e përfituesve me pension të pjesshëm tregon se mosha e tretë rrezikon varfërinë e ekstreme, teksa inflacioni ka qenë i lartë dy vitet e fundit.