Në luginën ku gjarpëron kanioni i lumit Rrjoll rrëzë bjeshkëve të Parubës dhe malit të Maranajt në zonën e Mbi Shkodrës, thyerjet tektonike të kanionit, pyjet me gështenja, mullinjtë shekullor, ruajnë në fshehtësinë e tyre edhe gjurmë arkeologjike e historike siç është dhe Balessiumi që ngrihet në majën e kodrës së Ballecit.
Emri Balessium, për herë të parë del nga një letër që i drejtohet arqipeshkvit të Tivarit në vitin 1062 nga Papa Aleksander II (Farlati, IIlyricum Sacrum). Ipeshkvia ishte në varësinë e arqipeshkvit të përmendur. Mesa duket ajo kish qenë më parë nën mitropolinë e Dokleas.
Dioqeza e Balessiumit ishte plaçkitur dhe varfëruar prej skizmatikëve në mesin e shek.XIV duke çuar në braktisjen e qytetit. Në 1448 përmendet si një fortifikim i rindërtuar nga Skënderbeu në tentativë për t’i hequr venecianëve zotërimet përreth Shkodrës. Sot rrënojat e qytezës mesjetare që përbëhen nga fragmente muresh perimetral të fortifikimit dhe të një kishe katedrale dedikuar Shën Mërisë kanë statusin “Monument Kulture” Kategoria I që prej 1977.