Në mes të luftës në Ukrainë, e cila nuk ka fund në horizont, një gazetë kineze paralajmëroi të dielën se NATO mund ta zgjerojë konfliktin dhe ta kthejë atë në një ‘luftë botërore’, shkruan Newsweek.
Tashmë tensionet e larta midis Rusisë dhe NATO-s janë përshkallëzuar javët e fundit pasi aleanca ushtarake njoftoi nisjen e stërvitjes më të madhe ushtarake në 35 vitet e fundit.
Stërvitja e quajtur ‘Steadfast Defender 2024’, e nisur në fund të janarit do të zgjasë deri në fund të majit dhe do të përfshijë 90,000 ushtarë nga 31 aleatë të NATO-s dhe Suedia. Në njoftimin e aleancës ushtarake për operacionet, nuk përmendet konkretisht Rusia, edhe pse Rusia, sipas dokumenteve që ka parë Reuters, konsiderohet si kërcënimi më i madh për sigurinë e vendeve anëtare.
Një nga objektivat kryesore të stërvitjes do të jetë “të demonstrojë aftësinë e NATO-s për të dislokuar me shpejtësi forcat e saj nga Amerika e Veriut dhe pjesë të tjera të Aleancës për të forcuar aftësinë mbrojtëse të Evropës”.
Tabloidi kinez në gjuhën angleze “Global Times”, i cili shpesh publikon propagandën e Partisë Komuniste Kineze, botoi një artikull me titull “NATO shtyn konfliktin Rusi-Ukrainë drejt Luftës Botërore” dhe përmendi vizitën e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në SHBA gjatë së cilës ai foli mbi gatishmërinë e aleancës së NATO-s.
“Është e qartë se kjo nuk ka të bëjë vetëm me kërkimin e fondeve. Kjo është qartësisht përgatitje e publikut për zgjerimin e konfliktit ruso-ukrainas në një luftë botërore”, thuhet në tekstin e “Global Times”.
Artikulli paralajmëron gjithashtu për ndikimin që mund të ketë NATO pasi mund të çojë në “ndarje dhe konflikt” në nivel global.