MENU
klinika

Analiza

Ruleta ruse dhe zgjedhjet presidenciale…

13.02.2024 - 09:30

Zgjedhjet presidenciale në Rusi do të mbahen muajin e ardhshëm. Fitorja e presidentit aktual Vladimir Putin duket e pashmangshme. Putini është në pushtet (si president apo kryeministër) që nga viti 1999. Nëse do të fitojë dhe ushtrojë plotësisht mandatin e tij të ri 6-vjeçar, ai do të shënojë plot 30 vite në pushtet, më shumë se çdo udhëheqës rus apo sovjetik që nga koha e Carit Pjetri i Madh (që vdiq në vitin 1721).

Kandidatët e qëndrueshëm të opozitës në këto zgjedhje, bien në sy për mungesën e tyre. Disa figura simbolike, kryesisht besnike ndaj Putinit, kanë njoftuar se do të garojnë formalisht. Por prej tyre, vetëm kreu i Partisë Komuniste, Nikolai Kharitonov, ka të ngjarë të marrë një numër të konsiderueshëm votash. Në zgjedhjet e fundit presidenciale në vitin 2018, kandidati komunist doli i dyti pas Putinit, me 12 për qind të votave, krahasuar me 77 për qind që mori Putin.

Kandidatët e opozitës?

Disa kandidatëve të mundshëm që donin të garonin ndaj Putinit – duke qenë sidomos kundër luftës në Ukrainë – u është refuzuar kërkesa për kandidim nëpërmjet arsyetimeve të dyshimta të natyrës burokratike. Në këtë drejtim, dallohet aktivistja e paqes Yekaterina Duntsova.

Ajo është një kandidate e guximshme, e cila mund të përpiqet t’i kundërvihet sadopak presidentin aktual në këto zgjedhje. Dikur figurat kryesore të opozitës në Rusinë e Putinit, që kundërshtuan dhe vunë në dyshim autoritetin e tij janë trajtuar në mënyrë brutale.

Për shembull, liberali Boris Nemtsov u vra në 2015 shumë pranë mureve rrethuese të Kremlinit (dyshohet nga agjentë të lidhur me FSB-në e Putinit). Ndërkohë kritikë të tjerë të famshëm të Putinit si Alexei Navalny dhe Mikhail Khodorkovsky janë dërguar në burg. Navalny mbetet ende në burg, ndërsa Khodorkovsky ndodhet sot në Londër.

Prandaj është ndoshta në interesin më të mirë të shëndetit të Duntsovës, që emri i saj të mos figurojë në asnjë fletë votimi. Edhe pse nuk ka dyshime, se Putin mund të angazhohet në njëfarë manipulimi elektoral për të siguruar rizgjedhjen në detyrë me një shumicë të madhe, ai do të kërkojë që të mbështetet nga një mandat i rëndësishëm.

Putin confirms run for Russian presidency in 2024 election | News | Al Jazeera

Ai dëshiron që zgjedhjet të duken si një proces i lirë dhe i ndershëm. Dhe ka nevojë që votimet të shihen si “të pastra”, si një mjet për të çimentuar trashëgiminë e tij si udhëheqës shtetëror rus. Sepse nuk dëshiron që historia ta mbajë mend si një udhëheqës që mund të mbetej në pushtet vetëm si diktator.

Dhe duket se do të rizgjidhet nga një shumicë e qartë e popullit rus. Si udhëheqës, Putin figuron rregullisht në sondazhe se gëzon një mbështetje të gjerë popullore. Kohët e fundit kishte një vlerësim prej 80 për qind. Sigurisht, kjo duhet marrë me rezerva, sepse media ruse e sponsorizuar nga shteti e ka mbështetur gjithmonë Putinin, duke e paraqitur atë me tone shumë lajkatare.

Po ashtu vitet e fundit, dhe sidomos që kur nisi lufta në shkurtin e vitit 2022 ndaj Ukrainës, çdo media që ishte kritike ose ndaj Putinit apo politikës shtetërore, është sulmuar ose është detyruar të largohet nga vendi. Rusia ka sot një media që tani është tërësisht në duart e Putinit.

Ndërkaq Putin do që të fitojë thellë, për të shmangur çdo sfidë ndaj sundimit të tij nga brenda bazës së tij të supozuar të pushtetit. Që nga ngjitja në pushtet, ai ka zhvilluar një rrjet të rëndësishëm lidhjesh patronazhi që përfshijnë njerëz në “korridoret e ndryshme të pushtetit” dhe figura të larta politike, oligarkë dhe udhëheqës ushtarakë.

Në thelb, që të gjithë ata mbështeten tek ai. Por nëse elektorati mund të vendosë që Putini nuk e gëzon mbështetjen e tyre popullore – dhe që ai është një udhëheqës i dobët – atëherë një numër i madh i atyre njerëzve në pozitat e pushtetit – “siloviki” (të fortët) – mund të mendojnë se ka ardhur koha të veprojnë. Ata mund të synojnë ta rrëzojnë atë, që të ruajnë stabilitetin shtetëror që u shërben interesave të tyre.

Putin 2024 A re-election ritual - Foundation for European Progressive Studies

E ardhmja e Putinit

Ajo që nuk do të duan ata, është diçka e ngjashme me atë që ndodhi pas zgjedhjeve presidenciale në Bjellorusi në vitit 2020. Presidenti Alexander Lukashenko gati u rrëzua nga një valë protestash në rrugë, pas atyre që u duk të ishin zgjedhje “të manipuluara”.

Në fakt, vetë Putin u trondit shumë në vitin 2011, kur e njëjta valë protestash ndodhi në Rusi. Mijëra protestues dolën në rrugët e Moskës dhe Shën Petersburgut pas zgjedhjeve të manipuluara. Putini u trondit. Stabiliteti i shtetit rus ishte në rrezik. Ai nuk mund të lejojë që e njëjta gjë të ndodhë sërish.

Pra, pavarësisht nga të gjitha tundimet, ai duhet t’i mbajë këto zgjedhje presidenciale në një mënyrë që të jenë sa më “të lira” dhe të “ndershme” që të jetë e mundur. Ndërsa duket se gëzon tani për tani një shkallë të lartë popullariteti në Rusi (edhe pse kryesisht i krijuar nga media), kjo mund të mos zgjasë.

Lufta në Ukrainë po zgjat shumë, dhe do të kërkojë humbje të vazhdueshme të jetë dhe para. Më konkretisht, lufta do të kërkojë angazhimin e gjithnjë e më shumë burrave rusë. Një valë e re mobilizimi – tejet jopopullore – duket të jetë e pashmangshme. Kostot e mëdha të luftës do të ushtrojnë një presion mbi shpenzimet sociale.

Do të rriten taksat, dhe po ashtu edhe inflacioni. Regjimi i sanksioneve të vendosura ndaj Moskës nga ana e Perëndimit, do të sjellë shkatërrimin e pjesës më të madhe të ekonomisë ruse. Situata do të bëhet më e vështira për rusët e zakonshëm, dhe për këtë faji do të bjerë në mënyrë të pashmangshme mbi Putinin. Ai mund t’i fitojë zgjedhjet presidenciale të marsit, por se sa kohë mund të qëndrojë në pushtet, duke pasur parasysh kërkesat e pashmangshme të muajve të ardhshëm, kjo mbetet e paqartë dhe e pasigurt.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Momentet që mund të ndryshonin historinë

9 jetët e Putin, si i ka shpëtuar disa atentateve