Prokuroria e Posaçme kërkon që Fredi Beleri të dënohet me 2.6 vite burg, pasi është konsideruar fajtor për korrupsion zgjedhor nga ana e prokurorisë.
Në pretencën e dhënë ditën e djeshme, SPAK kërkoi edhe dënimin me 2 vite burg për Pandeli Kokaveshin, por gjithashtu kërkoi pezullim të këtij dënimi dhe lënien në shërbim prove për 4 vjet. Seanca për argumentet përmbyllëse të palës mbrojtëse u caktua të zhvillohet më 28 shkurt, në orën 14:30.
SPAK e akuzon kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës për korrupsion në zgjedhje, ndërsa e arrestuan vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, duke mos e lënë të ishte i pranishëm në procesin e votimeve ku ai në fakt rezultoi edhe fitues i atyre zgjedhjeve, ndonëse ishte në qeli. Gjyqet e zhvilluara ndaj tij janë ndjekur gjithnjë nga ambasadorja greke në vendin tonë si dhe nga kreu i PBDNJ, Vangjel Dule. Avokati i Fredi Belerit ka deklaruar se pretenca e SPAK për dënimin me 2.6 vite burg të Fredi Belerit ishte e pritshme dhe e turpshme.
Ai theksoi se “është një fabul e ndërtuar keq”, duke shtuar se organi hetues nuk solli asnjë provë përveç dëshmisë së Arsen Ramës. Përfaqësuesi ligjor i Belerit deklaroi se nuk ka asnjë foto të Arsen Ramës me kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës. “Nuk sollën asnjë provë përveç dëshmisë së, Arsen Ramës. Është një e ndërtuar shumë keq si fabul. Është një akuzë e turpshme, e pritshme. Siç akuzoi edhe Beleri në fillim të seancës për gjykatën, është në vëmendje të prokurorisë, çfarë të thotë prokuroria”, – tha avokati. Ndërsa për Pandeli Kokaveshin, SPAK kërkoi dënimin me 2 vite burg të konvertuar në 4 vite shërbim prove për shkak të problemeve të tij shëndetësore, si edhe për faktin se ka një fëmijë të mitur me probleme shëndetësore.
Prokurorët
Në seancën e djeshme dy prokurorët, Adnan Xholi dhe Dorina Bejko lexuan konkluzionet në 60 faqe material duke i kërkuar GJKKO-së t’i shpallë fajtorë për korrupsion në zgjedhje. Si provë, SPAK thotë se janë pamjet filmike të takimeve të Fredi Belerit me bashkëpunëtorin e drejtësisë dhe komunikimet me të përmes telefonit dhe bisedat në përgjime ambientale. Bëhet fjalë për blerjen e një vote për 5 mijë lekë dhe 40 mijë për 8 vota, shumë që i ka dhënë Pandeli Kokaveshi Arsen Ramës. Deri në këto momente telefoni i Fredi Belerit nuk është hapur, pasi vetë ai nuk ka pranuar të japë kodin, por komunikimet janë zbërthyer nga telefoni i bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe vëllait të këtij të fundit që është takuar nga Fredi Beleri. Madje, Beleri ka komunikuar me të dhe i kërkuar numrin e telefonit të Arsen Ramës për ta ndihmuar për të siguruar votat për bashkinë e Himarës.
SPAK vinte në dispozicion dhe DVR-të e pamjeve filmike, përgjimet ambientale e telefonike që sipas tyre vërtetojnë veprën penale të shit-blerjes së votave për të cilat i kërkuan GJKKO-së ta shpallin fajtor Fredi Belerin e truprojën e tij, Kokaveshi.
BELERI AKUZON GJYQTARIN
Fredi Beleri ishte i pranishëm në seancë dhe në fillim të saj bëri një deklaratë ku akuzoi kryetarin e trupit gjykues Erjon Çela për njëanshmëri në gjykim dhe se ‘ka vepruar me urdhra politikë’. Sipas Belerit, gjyqtari nuk ka marrë parasysh asnjë nga kërkesat e bëra nga ai dhe avokatët mbrojtës. Ndër të tjera akuzoi kryeministrin Rama.
Kryetari i trupit gjykues Erjon Çela në fund të seancës iu përgjigj se kërkesat e Belerit ishin shqyrtuar dhe se vendimet ishin marrë nga trupi gjykues. Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga bashkëpunëtori i drejtësisë i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave. Seanca radhës kur do të dëgjohen konkluzionet përfundimtare të palës mbrojtëse u caktuan në 28 shkurt ora 14.30. Më pas i takon GJKKO të japë vendim. Arrestimi i kandidatit për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, shërbeu si një shkëndijë për të ftohur marrëdhëniet e Athinës me Tiranën, ndërsa viti që lamë pas shoqërua me pasoja për nisjen e bisedimet për kapitujt e parë me Bashkimin Europian, pasi Greqia kërcënoi veto.