Opozita e përfaqësuar në Komisionin e Reformës Zgjedhore duket e prerë në kërkesat e saj për sistemin e ri zgjedhor.
Në një kohë kur nga njëra anë po shohim bashkimin e grupimit të Gazment Bardhit me atë të ish-kryeministrit Sali Berisha, numri i deputetëve përkrahës të tyre shkon në 43.
Kjo do të thotë që Lulzim Basha mbetet me një numër më të vogël mbështetësish në parlament.
Ndërkohë që zgjedhjet e përgjithshme do të zhvillohen në 2025-ën, Lulzim Basha duket se po përpiqet të fitojë një siguri nëpërmjet ndryshimeve në sistemin zgjedhore duke kërkuar koalicione.
Në këtë aspekt, përfaqësuesi i tij, si bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, ka kërkuar rikthimin e koalicione. PS i hoqi koalicionet para zgjedhore, por PD kërkon që të rikthehen.
Komisioni i Reformës Zgjedhore është mbledhur online për të dëgjuar propozimet e partive politike.
Alibeaj prerazi ka vendosur vijën e kuqe për konsensusin dhe negociatat.
Demokratët nuk do të pranojnë primin, një sistem që parashikon bonus në mandate për partinë që ka fituar shumicën.
“Nuk ka shans të pranohet primi, siç është në sistemet e tjera. Sot është e udhës që shqiptarët të qeverisen nga ato forca politike për aq sa mandate dhe mbështetje i japin. Nëse doni të dini për mua, është mirë sistemi me koalicione sepse koalicionet kanë një mundësi të mirë që ti bien ndesh autokracisë së njëshit të partisë që merr gjithçka”, ka deklaruar Alibeaj.
Ndërsa kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi artikuloi nevojën për një ndryshim të sistemit, me integrimin e votës së emigrantëve, votimit elektronik dhe listat e hapura.
Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, Agron Duka i partisë Agrare Ambientaliste dhe kryetari i Partisë Bashkimi Për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule nuk morën pjesë në mbledhjen e komisionit.
Edhe mbledhja e radhës do të mblidhet online, ku do të shprehin kërkesat e tyre përfaqësuesit e shoqatave për votën e diasporës.